SBASHK-u po përgatitet për grevë
Kjo shkresë ishte bërë publike të njëjtën ditë nga mediet e shkruara e elektronike dhe me arsye SBASHK-u ka pritur reflektimin e qeverive lokale lidhur me çështjet e ngritura dhe nisjen e dialogut për to.
"Mirëpo kaloi një kohë e gjatë nga 21 qershori dhe jemi në prag të vitit të ri shkollor e qeveritë lokale nuk shihet se kanë bërë ndonjë hap konkret për të vënë në rend dite çështjet e ngritura në shkresën zyrtare drejtuar kryetarëve të komunave dhe prandaj SBASHK-u që tani ka nisur përgatitjet për veprime sindikale gjatë muajit shtator e madje edhe për grevë të përgjithshme".
"Këto veprime sindikale do të jenë të drejtuara ndaj kryetarëve të komunave dhe institucioneve të pushtetit lokal për shkak të mungesës së vullnetit për të dialoguar e për të gjetur zgjidhje të pranueshme lidhur me obligimet që pushtetet lokale e kanë nga neni 35 i Kontratës Kolektive të Arsimit të Kosovës e që ka të bëjë me kompensimin prej 70 % të vlerës së biletës për punëtorët udhëtarë të arsimit, 3 pagat suplementare dhe 3 pagat përcjellëse me rastin e pensionimit dhe me çështjen e shujtës 2 euro për çdo ditë pune". theksoi SBASHK.
SBASHK i njoftojn kryetarët e komunave, drejtorët e DKA-ve dhe institucionet tjera komunale se SBASHK-u ka dërguar në gjykatat kompetente paditë kundër komunave lidhur me tri pagat suplementare dhe 3 pagat me rastin e pensionimit dhe se organet e drejtësisë janë duke sjellë vendime pozitive.
"Po të kishin realizuar këtë kërkesë komunat përmes dialogut , atëherë të pensionuarit do të ndiheshin të nderuar dhe do të shprehnin respekt për institucionet komunale e po ashtu edhe do të kurseheshin mjete nga buxhetet komunale, të cilat mjete tani komunat janë të obliguara t’i paguajnë në emër të taksave gjyqësore dhe procedurave tjera."
"Nëse institucionet komunale nuk reflektojnë gjatë këtyre ditëve dhe nuk nisin dialogun me ne, atëherë SBASHK-u do të mbledh shënimet për punëtorët arsimor udhëtarë dhe do t’i drejtohet gjykatave për këtë çështje dhe për shujtën e bindur se do të dalë fituese."
"Pra kryetarë të komunave në shtator, nëse nuk reflektoni dhe nuk e zgjidhni dialogun, do të përballeni me veprime sindikale dhe me gjykatat", njofton në fund SBASHK.