SBASHK-u paralajmëron veprime sindikale në shtator
Prishtinë, 19 qershor - Pasi i kishte dhënë hapësirë të madhe dialogut me institucionet e Kosovës dhe pasi dialogu nuk po jepte as edhe një rezultat konkret, siç e di opinioni, SBASHK-u ndërmori edhe veprime të lejuara sindikale duke shkuar edhe në grevë të përgjithshme.
Greva nuk zgjati shumë sepse Qeveria , më në fund reflektoi, duke plotësuar kërkesën për 0.5 % për çdo vit shërbimi.
Institucionet u deklaruan sikur u bë nami me këtë 5 % dhe tani heshtin duke u paraqitur sikur i kanë kryer gjithë obligimet ndaj Kontratës Kolektive të sektorit të Arsimit Parauniversitar.
Në cilësinë e kryetarit të SBASHK-ut, e duke prezantuar zërin e të punësuarve në arsimin e Kosovës po i kujtoj institucionet qendrore e lokale të Kosovës se ende kanë obligime që dalin nga Kontrata Kolektive.
Pjesa më e madhe e qeverive lokale nuk kanë bërë as edhe një hap për të zgjedhur çështjen e udhëtimit të mësimdhënësve udhëtarë. Nuk kanë bërë as edhe një hap për të plotësuar obligimin nga Kontrata dhe ligji për tu dhënë nga tri paga mësimdhënësve ve me rastin e pensionimit të tyre.
Me kohë u drejtohemi që të angazhohen dhe të veprojnë pozitivisht në të kundërtën mos të harrojnë se SBASHK-u grevën nuk e ka mbyllur, por e ka pezulluar dhe ajo do të rikthehet në gjithë arsimin e Kosovës me të filluar të vitit të ri shkollor nëse institucionet e pushtetit lokal e qendror nuk reflektojnë. SBASHK-u duke bashkëbiseduar me anëtarësinë u ka dhënë afate, që vetë i kanë kërkuar institucionet, për të kryer obligimet e tyre.
Ata nëse mendojnë se çdo gjë ka përfunduar me realizimin e 0.5 % për çdo vit të shërbimit po gabojnë. SBASHK-u angazhohet sinqerisht për të realizuar gjithë kërkesat legjitime nga Kontrata Kolektive dhe sinqerisht duhet të angazhohen edhe institucionet qendrore e lokale.
Nëse nuk ndodh kështu atëherë, pa dëshirën e SBASHK-ut, prapë do të përballemi me veprime sindikale dhe mos na kritikoni pastaj.