SBASHK-u paralajmëron për grevë të përgjithshme në tërë sistemin arsimor
Prishtinë, 16 mars - SBASHK-u duke parë se përveç deklaratave të Ministrave gjegjës dhe të institucioneve ende nuk as edhe një veprim konkret, lëshon këtë alarm me kohë drejtuar Qeverisë, institucioneve dhe opinionit të gjerë që të angazhohen që tani në realizimin e kërkesave të anëtarësisë sonë e të mos presin që 13 prilli të na gjejë në këtë situatë ngase koha po shkon dhe le ta dinë të gjithë se kur ka grevë nuk ka mësim, por nuk ka as test PISA.
SBASHK-u duke parë se institucionet e shtetit nuk po bëjnë asgjë për të realizuar kërkesat legjitime filloi me veprimet e përshakllëzuara sindikale duke nisur me grevën njëorëshe, pastaj dyorëshe dhe me grevën njëditëshe në tërë sistemin arsimor duke i dhënë kohë e hapësirë mes veprimeve sindikale institucioneve që të veprojnë konkretisht. SBASHK-u situatën aktuale e debatoi edhe në Kongresin 7 dhe delegatët nxorën njëzëri Rezolutën për veprime sindikale, e cila obligon kryetarin dhe kryesinë, që nëse nuk ka veprime konkrete të institucioneve as pas grevës njëditore të shkohet më 13 prill në grevën e përgjithshme e në kohë të pacaktuar, grevë kjo që do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të anëtarësisë.
Gjatë gjithë kësaj kohe institucionet, gjegjësisht ministrat gjegjës të Kabinetit Haradinaj nuk kanë bërë as edhe një hap konkret përveç se janë munduar që fajin e tyre t’ia hedhin dikujt tjetër. Ministri Hamza përmes deklaratave nga kabineti i tij thotë se nuk janë kundër Ligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës , por se Ministria e Arsimit apo ajo për Punë dhe Mirëqenie Sociale u dashka të bëjnë veprime për të plotësuar kriteret ligjore të këtij ligji dhe ai pastaj do ta marrë miratimin edhe nga Ministria e Financave dhe do të kalojë edhe në Qeveri e Parlament.
Nga ana tjetër Ministri Bytyqi deklarohet vazhdimisht se Ministria e tij ka kryer punën e duhur rreth këtij Projektligji. Ministri Hamza duhet të takohet me dy ministrat e përmendur se janë në të njëjtin kabinet qeveritar dhe bashkërisht të punojnë për tejkalimin e ndonjë të mete dhe ligji të shkojë në Qeveri e në Parlament. Ministri Bytyqi duhet ta di se nuk e ka kryer punën rreth ligjit sepse kjo punë kryhet kur ligji merr dritën e gjelbër në Qeveri dhe pastaj shkon në Parlament dhe edhe atje Ministri Bytyqi duhet ta prezantojë dhe t’u përgjigjet pyetjeve eventuale të deputetëve. Pra obligimi i Ministrit Bytyqi ndaj këtij ligji kryhet kur ligji të votohet në Parlament. I vetmi që ka kryer obligimin ndaj këtij ligji është SBASHK-u sepse ka punuar me tërë dijen e mundësitë në përpilimin e Projektligjit dhe është duke bërë angazhime të mëdha që ose përmes dialogut ose përmes mjeteve tjera të lejuara të ndikojë që kjo çështje të zgjidhet.
SBASHK-u duke parë se përveç deklaratave të Ministrave gjegjës dhe të institucioneve ende nuk as edhe një veprim konkret lëshon këtë alarm me kohë drejtuar Qeverisë, institucioneve dhe opinionit të gjerë që të angazhohen që tani në realizimin e kërkesave të anëtarësisë sonë e të mos presin që 13 prilli të na gjejë në këtë situatë ngase koha po shkon dhe le ta dinë të gjithë se kur ka grevë nuk ka mësim, por nuk ka as test PISA.
Këtë alarm, që ka qëllimin më të mirë, përveç institucioneve , le ta kuptojnë edhe disa “vajtojca” dhe opinioni i gjerë dhe të orientojnë angazhimet e tyre dhe reagimet ndaj institucioneve duke kërkuar që çështjet të zgjidhen që tani e të mos pritet 13 prilli sepse gjërat si janë tani, kjo datë do të shënojë fillimin e grevës së përgjithshme në kohë të pacaktuar në tërë sistemin arsimor të Kosovës.