SBASHK-u koordinon aktivitetet me DKA-në rreth fillimit të vitit të ri shkollor
Prishtinë, 1 shtator - Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj bashkë me koordinatorin për organizim të brendshëm Ymer Ymeri janë takuar në ambientet e DKA-së së Prishtinës me drejtoren Shpresa Shala. Temë kyçe e bashkëbisedës në këtë takim ishte rrjedha e përgatitjeve që janë bërë e po bëhen në institucionet arsimore të komunës së Prishtinës për nismën e vitit shkollor më 14 shator.
Drejtorja Shala është shprehur e kënaqur me bashkëpunimin korrekt me SBASHK-un dhe ka treguar për angazhimet e shumta që janë bërë gjatë gjithë verës në përgatitjen e Udhëzimeve konkrete e pastaj edhe me angazhimet konkrete në institucionet arsimore. Ajo vlerëson se falë përkushtimit të DKA-së, drejtorëve dhe stafit dhe gjithë të punësuarve në shkolla e institucione të tjera janë bërë përgatitje të nivelit më të lartë të mundshëm dhe se 14 shatori do t’i gjejë të përgatitura institucionet arsimore për fillim të mbarë të vitit të ri shkollor.
Përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë përgëzuar drejtoren për angazhimet dhe arritjet dhe e kanë falënderuar atë për bashkëpunimin korrekt me SBASHK-un në përpjekjet e përbashkëta në shërbim të arsimit. Ata i janë drejtuar drejtores me lutjen që mësimdhënësit e kësaj komune të lirohen gjatë këtij viti shkollor nga obligimi i shënimit të orëve mësimore në ditarët elektronik, por ato t’i shënojnë në ditarët klasik, ndërsa pjesën tjetër të aktiviteteve dhe vlerësimin e nxënësve ta bartin në ditarët elektronik.
Drejtorja Shala ka aprovuar kërkesën e SBASHK-ut që nesër ajo me përfaqësues të SBASHK të vizitojnë ndonjë nga institucionet arsimore për të parë nga afër përgatitjet dhe angazhimet që janë duke u bërë me qëllim të përgatitjes për fillimin vitit të ri shkollor.