22 Dhjetor 2024

SBASHK rrezikon mbarëvajtjen e mësimit

Prishtinë, 15 janar - Organizata ETEA, Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) dhe Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore (QHPSM) shprehin indinjatën e thellë mbi leximin e gabuar të situatës në arsim nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), veçanërisht në raport me kërcenimet për hyrje në grevë në rast se nuk bëhen pagesa shtesë prej 100 EUR në muaj për mësimdhënësit.   

ETEA, ORCA dhe QHPSM qëndrojnë prapa kërkesave legjitime për paga më të dinjitetshme në të gjithë sektorët, përfshirë këtu edhe në sektorin e arsimit.

Në këtë linjë, SBASHK, sikurse çdo organizim tjetër sindikal që mbronë të drejtat e punëtorëve dhe synon të avancojë interesat përkatëse, ka të gjitha të drejtat për kërkimin e plotësimit të kushteve materiale, kërkimin e mundësive për avancimin e tyre dhe për trajtimin e barabartë të sektorit të arsimit me sektorët e tjerë të prekur nga pandemia.

Por, kjo nuk mund të bëhet duke e rrezikuar edhe më tej mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe është krejtësisht e papranueshme që të bëhet në dhe mbi kurriz të nxënësve dhe studentëve.

ETEA, ORCA dhe QHPSM vlerësojnë që SBASHK-u duhet t'i prioritizojë interesat e nxënësve dhe studentëve dhe në asnjë rrethanë të mos i përdorë si mjet për plotësimin e kërkesave, e sidomos në rrethanat aktuale ku nxënësit dhe studentët janë një ndër grupet shoqërore më të goditura nga masat e ndërmarra për frenimin e pandemisë COVID-19.

Është e vërtetë dhe tërësisht zhgënjyese që të gjitha Qeveritë e pasluftës në Kosovë e kanë lënë arsimin në situatë të mjerueshme, ku si rrjedhojë, pothuajse në secilin vlerësim ndërkombëtar nxënësit kosovarë performojnë dukshëm më dobët krahasuar me nxënësit e shteteve tjera.

Por pavarësisht kësaj, mësimdhënësit kosovarë janë më të kënaqurit në botë me punën e tyre, përkatësisht 94% e mësimdhënësve shprehen shumë të kënaqur me profesionin e tyre (TIMSS, 2019), gjë që është kontradiktore me kërkesat për rritje të vazhdueshme të pagave nga SBASHK. Për më tepër, kërkesa për rritje pagash para se gjithash duhet të korrespodojnë me performancën e nxënësve dhe cilësinë në arsim.

Në këtë drejtim dhe në këto rrethana pandemike, paralamjërimet për grevë në kushte të pandemisë dhe situatës politike në të cilën ndodhet vendi, e dëmtojnë edhe më tej sistemin arsimor në Kosovë.

Prandaj, para se të merret ndonjë vendim nga SBASHK, bëjmë thirrje që të gjendet kompromisi dhe të shqyrtohen forma e mundësi të tjera për t’i shtyer përpara kërkesat e sindikatës, pa dëmtuar procesin mësimor dhe instrumentalizuar nxënësit që edhe ashtu pothaujse në çdo vit bëhen viktimë e betejave mes SBASHK dhe institucioneve vendimmarrëse.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)