SBASHK rikonfirmon grevën e nesërme
Prishtinë, 28 prill - Këshilli Drejtues i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka rikonfirmuar përmes një njoftimi për medie se mësimdhënësit në Kosovë do të hyjnë në grevë që nga dita e nesër.
I drejtohemi opinionit edhe një herë, se greva e përgjithshme në Arsimin parauniversitar dhe në Universitet fillon nesër me datën 29 prill në orën 8:00 e deri në 12:00 për arsimin parauniversitar, ndërsa në universitetet nga ora 8:00 deri në orën 16:00, thuhet në një komunikatë për medie të lëshuar nga SBASHK.
Sipas këtij njoftimi, gjatë kohës së grevës, të gjithë të punësuarit duhet të jenë në vendet e tyre të punës, derisa greva të zgjasë për aq kohë sa Qeveria nuk i përmbush kërkesat e mësimdhënësve.
Të përmirëson gabimet e lëshuara në listat e pagave për muajin prill: nuk është marrë parasysh baza e pagës aktuale, nuk janë përfshirë të gjithë të punësuarit në arsim në pagesën e përvojës së punës, si dhe nuk është llogaritur përvoja e punës nga viti 2008 e deri në vitin 2015. Këtu nuk duhen harruar edhe obligimet tjera të Qeverisë që dalin nga Kontrata Kolektive, e nënshkruar mes SBASHK-ut dhe MASHT-it, thuhet mes tjerash në komunikatën e SBASHK-ut.
Përfaqësuesit e SBASHK-ut, po ashtu, kërkojnë nga institucionet shtetërore qendrore e lokale që të mos bëjnë presion në anëtarësinë rreth grevës , por të përmbushin obligimet e tyre karshi Kontratës Kolektive në mënyrë që greva të jetë sa më e shkurtër.