SBASHK përgatitet për veprime sindikale
Prishtinë, 5 janar - Pasi që përfaqësuesit e SBASHK-ut janë pajtuar me vendimet e dala nga mbledhja e Kryesisë Ekzekutive të BSPK-së lidhur me angazhimet konkrete në përpjekje për realizimin e kërkesave të anëtarësisë, ata kanë mbajtur një takim të jashtëzakonshëm konsultativ me kryetarët e nivelit sindikal komunal dhe Universiteteve.
Anëtarët e Këshillit Drejtues i kanë përcjellë kryetarit dhe kryesisë së SBASHK-ut reagimet e mësimdhënësve lidhur me deklaratat ofenduese të Kryeministrit Haradinaj në adresë të punëtorëve të arsimit duke përshëndetur reagimin domethënës të SBASHK-ut lidhur me këtë çështje.
Në këtë takim aty e këtu kishte edhe diskutime me tone të ngritura lidhur me paralajmërimin e Qeverisë për ngritje pagash vetëm 4 % duke përsëritur se këtë ngritje e konsiderojnë fyese. Ata kanë dalë me kërkesën që le të jetë ngritja 4 %, por e bazuar në vlerën 4 % të pagës së Kryeministrit.
Këshilli Drejtues i SBASHK-ut unanimisht ka vendosur që të niset me përgatitjet për veprime sindikale dhe janë pajtuar që përmes formularëve të nënshkrimeve të merret autorizimi i anëtarësisë për veprime të nevojshme , qoftë si SBASHK apo në koordinim me BSPK-në duke mos përjashtuar edhe grevën e përgjithshme në përpjekje për realizimin për ngritje pagash 4 % të pagës së Kryeministrit, Fillimin e implementimit ët Ligjit për Sigurime Shëndetësore si dhe kërkesave tjera të anëtarësisë së SBASHK-ut.