SBASHK nga 14 shkurti do të filloj me grevën njëorëshe
Prishtinë, 10 shkurt - Pasi ka mbajtur takimin e rregullt për të analizuar përgatitjet për Kongresin zgjedhor, që mbahet më 24 shkurt 2018, Këshilli Drejtues i SBASHK-ut, po të shtunën , ka mbajtur një takim të jashtëzakonshëm për të analizuar deklarimet me shkrim të anëtarësisë dhe për të marr veprime sindikale për shkak të mos respektimit nga ana e Koalicionit, që tani udhëheq me Qeverinë, të marrëveshjes së nënshkruar me SBASHK-un, më 5 qershor 2017.
Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj ka informuar anëtarët e Këshillit Drejtues me përpjekjet që ai me bashkëpunëtorët kanë bërë që në takimet dhe dialogun me Kryeministrin Haradinaj , me Zv/Kryeministrat Limaj e Hoxhaj, me Ministrin Bytyqi e Ministrin Hamza të realizojnë premtimet nga Marrëveshja e nënshkruar me tani kryeministrin Haradinaj dhe me Kryeparlamentarin Veseli.
Anëtarët e Këshillit Drejtues janë deklaruar se në shenjë respekti për të gjithë ata që punuan në vitet më të vështira të Kosovës, e veçmas në lartësim të kujtimit për kolegët tanë të asaj kohe, që kanë kaluar në amshim tenderojnë kategorik në mbrojtjen e Ligjit mbi statusin e punëtorëve të arsimit shqip të viteve të 90-ta dhe pasi dialogu deri tani nuk ka dhënë rezultatin e premtuar që ky Projektligj të shkojë në Qeveri e pastaj edhe në Parlament, ashtu si është thënë edhe në Marrëveshjen e 5 qershorit 2017, të fillohet me veprime sindikale.
“Qeveria e Kosovës as në 10 vjetorin e Pavarësisë nuk i nderoj me ligjin e merituar ata që vunë themelet e shtetësisë”, ishte kritikë e Këshillit Drejtues drejtuar krerëve të institucioneve të Kosovës.
Këshilli Drejtues i SBASHK-ut ka vendosur unanimisht që të fillohet me veprime të përshkallëzuara sindikale. Kështu që më 14 shkurt do të fillohet me grevën njëorëshe që nënkupton grevë në orën e parë të mësimit në ndërrimin e paradites dhe në atë të pasdites, për të vazhduar më 20 shkurt me grevën dyorëshe në të dy ndërrimet.
U vendos që për veprimet tjera të debatohet edhe më 24 shkurt në Kongresin e SBASHK-ut duke insistuar që atëherë të shpallet greva e përgjithshme deri në realizimin e të gjitha pikave të Marrëveshjes së 5 qershorit 2017 , por duke mos përjashtuar edhe format tjera të veprimit sindikal, siç janë edhe protestat masive në Prishtinë.
SBASHK-u kërkon mirëkuptim nga prindërit dhe nxënësit duke treguar se këto veprime janë të shtërnguar t’i marrin jo me dëshirën e tyre, por për shkak të mos angazhimit të institucioneve për realizimin e obligimeve të tyre.