SBASHK në kongresin e Sindikatës Sllovene të Arsimit
Lubljanë, 20 nëntor - Të enjten ka filluar me punimet Kongresi 9 i Sindikatës së Arsimit, Kulturës dhe Shkencës së Sllovenisë (SVIZ). Kongresi po mbahet në ambientet e Hotel \"Golf\" në qytezën e bukur të Bledit.
Në këtë Kongres krahas, delegatëve nga të gjithë pjesët e Sllovenisë, janë të pranishëm edhe Sindikatat mike të SVIZ-it nga Ballkani dhe Evropa.
Mësimdhënësit e Sllovenisë Kongresin e tyre e kanë filluar në një atmosferë festive duke prezantuar Sindikatat mysafire. Prezantimi i SBASHK-ut dhe veprimtarisë së suksesshme të kësaj Sindikate nga Kosova është përcjellë me vëmendje nga gjithë të pranishmit.
Delegacioni i SBASHK-ut është përshëndetur me duartrokitje të gjata në momentin kur drejtuesi i punimeve të Kongresit ka përmendur emrat e tyre . Kjo dëshmon edhe një herë respektin e ndërsjellë dhe miqësinë nëpër vite e dekada, jo vetëm mes dy sindikatave, por edhe mes popullit slloven e atij shqiptar.
Delegacioni i SBASHK-ut i përbërë nga kryetari Rrahman Jasharaj dhe menaxheri financiar Ymer Ymeri i janë falënderuar mikpritësit dhe me përfaqësues të SVIZ është zhvilluar një bashkëbisedë për të gjetur mundësi të reja e për të shtuar bashkëpunimin.
Delegacioni i SBASHK-ut ka zhvilluar mes seancave të Kongresit takime edhe me delegacionet e Sindikatave mysafire të Kongresit.
Nga këto takime ka dalë vlerësimi i përbashkët se duhet shtuar bashkëpunimi dhe se sindikatat duhet mbështetur njëra-tjetrën në përpjekjet për forcimin dhe avansimin e rolit të sindikatave për krijimin e politikave arsimore dhe për krijimin e një strategjie të qëndrueshme në mbrojtjen e të drejtave të mësimdhënësve sindikalistë.
Delegatët e Kongresit të Nëntë të SVIZ do të zgjedhin një pjesë të organeve udhëheqëse dhe do të dalin me një platformë konkrete për t\'u përballur më lehtë me sfidat, që si u tha nga folësit në këtë takim të madh, nuk do të jenë as të lehta e as të pakta për nga numri.