SBASHK: Ministri Hoti po elektrizon edhe më shumë situatën në arsim
Prishtinë, 30 prill - Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) ka reaguar ndaj deklartës së ministrit të Financave, Avdullah Hoti, i cili ka thënë të mërkurën se me pagat e majit, mësimdhënëseve nuk do tiu paguhen ditët e humbura gjatë grevës.
Në një komunikatë për media të SBASHK-ut thuhet se ministri Hoti këshillohet që të mos ngutet me deklarata për ndëshkime, sepse po elektrizon edhe më shumë situatën në arsim.
SBASHK-u ka kujtuar me këtë rast Ligjin për Greva, i cili thotë: \"Për organizuesit e grevës, pjesëmarrësit grevistë dhe ndaj të punësuarve të tjerë, të cilët mbështesin grevën, nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale dhe nuk mund t\'iu ndërpritet marrëdhënia e punës\".
Mësimdhënësit në sistemin para-universitar dhe universitar të Kosovës kanë nisur grevën qysh dje.
Kërkesat e tyre kanë të bëjnë me pikat e parealizuara të Kontratës Kolektive, në mesin e tyre shujta dhe kompensimi prej 0,5 për qind për çdo vit të shërbimit.