SBASHK: Më e mirë marrëveshja e kompromisi se sa urdhrat e prera
Prishtinë, 25 tetor - Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) ka njoftuar se do ta ngrit çështjen që gjithë ata që angazhohen ditëve të vikendit, pra jashtë javës 5 ditëshe të punës, të kompensohen sipas Ligjit të punës për angazhim në ditët e vikendit dhe festave.
Po ashtu SBASHK ka theksuar se do të kërkoj që tani e tutje mësimdhënësve të angazhuar nga shkollat e mesme në ekskursione me nxënës jashtë vendit t’u paguhen mëditje , ashtu si i marrin gjithë zyrtarët lokalë e qendror më të shkuar për detyra a vizita jashtë vendit tonë.
"Ndalimi i çdo aktiviteti në ditë pune , qoftë ajo Konferencë, tubim informues,aktivitet sindikal, trajnim për Kurikulin e ri a ndonjë veprimtari tjetër që lidhet me arsimin e me mësimdhënësit me urdhër të prerë dhe deklarimi se të gjitha këto duhet zhvilluar në ditët e vikendit e në emër të mos humbjes së orëve mësimore është qasje e gabuar që pamundëson çdo marrëveshje e arritje të kompromisit për një zgjedhje të pranueshme për të gjitha palët e pa e cenuar procesin mësimor", thekson SBASHK.
Drejtorët e shkollave dhe ata në DKA për këtë urdhër të prerë thonë se u ka ardhur nga lartë dhe se atë do ta zbatojnë në përpikëri. Edhe DKA-të, si punëdhënës, edhe MASHT duhet ta dinë para këtij urdhri të prerë se edhe Ligjet, po edhe Kontrata Kolektive e Arsimit të Kosovës, e precizon se në Arsimin parauniversitar zbatohet java 5 ditëshe dhe se askush nuk ka të drejtë t’ua mohojë të drejtën e dy ditëve të pushimit të punësuarve në arsim, bile jo pa pajtueshmërinë e tyre.
Pra, edhe Trajnimet për Kurikulin e ri dhe aktivitetet tjera të DKA-ve e MASHT-it në vend të ditëve të vikendit, kur mësimdhënësi duhet t’i përkushtohet obligimeve familjare dhe pushimit të nevojshëm pas punës një javore ashtu siç e precizon edhe ligji i punës dhe ligji i Arsimit parauniversitar, le të organizohen ditëve të punës, qoftë duke përpiluar orarin mësimor të mësimdhënësve që 20 orët mësimore javore ti realizojn gjatë katër ditëve, që një ditë e 5 ditëve të punës t’u mbetet e lirë për trajnime.
Po ashtu,SBASHK-u do ta ngrit edhe çështjen që gjithë ata që angazhohen ditëve të vikendit, pra jashtë javës 5 ditëshe të punës, të kompensohen sipas Ligjit të punës për orët e angazhuara gjatë vikendeve dhe festave. Po ashtu do të kërkojmë që tani e tutje mësimdhënësve të angazhuar nga shkollat e mesme në ekskursione me nxënës jashtë vendit t’u ndahen mëditje , ashtu si i marrin gjithë zyrtarët lokalë a qendror më të shkuar për detyra a vizita jashtë vendit tonë.