SBASHK kërkon nga Rashiq mos ta nënshkruaj përbërjen e re të KES-it
Prishtinë, 28 tetor - Ministri i MPMS-së, Nenad Rashiq është takuar me delegacionin e SBASHK-ut. Temë e bashkëbisedës ka qenë propozimi i një komisioni vlerësues për përbërjen e re të Këshillit Ekonomiko-Social.
Delegacioni i SBASHK-ut ka ripërsëritur në takimin me ministrin Rashiq se kjo Sindikatë, që konsiderohet nga më aktivet dhe më të organizuarat në Kosovë, nuk njeh raportin e një Komisioni, ngase ai është përbërë nga njerëz të subjekteve konkurruese për anëtarë të KES-it.
Që nga publikimi në media të propozimit të një Komisioni vlerësues lidhur me përbërjen e re të Këshillit Ekomomiko-Social , SBASHK-u ka shprehur pakënaqësitë lidhur përbërjen e këtij Komisioni ngase në të nuk kishte pjesëmarrës të pavarur, por ishin përfaqësues të palëve konkurruese për KES, gjë që paraqet konflikt interesi.\"
\"Përbërjen që ofron ky Komision nuk e njohim dhe prandaj apelojmë të Ju z. Ministër që të mos e nënshkruani këtë raport e as përbërjen e re të KES-it, është shprehur në bisedë me Ministrin Rashiq, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.
Anëtari tjetër i delegacionit të SBASHK-ut, Ymer Ymeri, ka ofruar mjaft fakte dhe ka treguar se SBASHK-u ka ofruar dokumentacion valid që dëshmon për numrin e saktë të anëtarëve.
Ai është shprehur se në momentin aktual kur BSPK-ja, është Konfederatë , por nuk ka numrin e paraparë të anëtarëve sipas Ligjit për Këshillin Ekonomiko-Social, se në përbërjen e saj nuk janë sindikatat më të fuqishme të Kosovës dhe se në Komisionin vlerësues për përbërjen e re të KES-it ka konflikt interesi, është e udhës që Ministri të mos e nënshkruaj përbërjen e KES-it si e ka propozuar ai komision, por të takohet me sindikatat që kanë konkurruar dhe të gjendet një zgjedhje me marrëveshje nga të gjithë.
Ministri Rashiq ka deklaruar se është për respektim të Ligjeve, duke mos i dhënë ndonjë përgjigje të prerë delegacionit të SBASHK-ut. Ata kanë deklaruar edhe një herë në përfundim të këtij takimi se nuk do ta njohin përbërjen e KES-it pa qenë të përfaqësuara aty sindikatat më të forta e me anëtarësi reale dhe se do të vazhdojnë me përpjekjet për të triumfuar drejtësia, që konsiderojnë se është në anën e tyre.