SBASHK dërgon 452 anëtarë për pushime në bregdetin shqiptar
Prishtinë, 21 qershor - Duke vlerësuar lart angazhimin dhe përkushtimin e punëtorëve arsimor në këtë vit mësimor plot sfida e vështirësi të krijuara nga pandemia, SBASHK vazhdon me traditën e organizimit të pushimit në bregdetin shqiptar për një numër të konsideruar të anëtarëve të vet nga e tërë Kosova.
Pasi kanë analizuar mundësitë buxhetore organet udhëheqëse të SBASHK-ut kanë ardhur në përfundim se këtë vit në këtë aktivitet do të përfshihen 452 pushues që janë përzgjedhur nga shoqatat sindikale arsimore e të kulturës dhe njësive akademike nga e tërë Kosova.
Këtë traditë e ka nisur të dielën e 20 qershorit grupi i parë prej 78 pushuesve , e në të cilin janë përzgjedhur anëtarët e SBASHK-ut që kanë kryer obligimet në procesin mësimor, ndërsa më 27 qershor do të shkojnë në pushimin e organizuar e të merituar 245 pushues të tjerë nga komuna të ndryshme të Kosovës. Ky aktivitet rekreativ do të vazhdojë më 4 korrik me grupin e fundit prej 129 pushuesve.
Përveç për pushim e rekreacion ky aktivitet do të shfrytëzohet edhe për aktivitete sindikale e organizim dhe për organizimin e tryezave të debatit lidhur me përgatitjen e Planit strategjik të angazhimit të SBASHK-ut në vitet në vijim.
Duke e ditur se edhe Ministria e Arsimit dhe Drejtoritë Arsimore kanë respekt për punën e përkushtuar të punëtorëve të arsimit do ta përgëzojnë SBASHK-un për këtë aktivitet të qëlluar dhe nuk do të krijojnë ndonjë pengesë eventuale ndaj të përzgjedhurve për këto pushime.