SBASHK anulon grevën për nesër, edhe një javë afat Qeverisë
Prishtinë, 19 prill - Pas një debati të gjatë Këshilli Drejtues i SBASHK-ut në mbledhjen e jashtëzakonshme, të mbajtur sot, me shumicë votash ka marr vendim që të pritet Qeveria deri më datën 24 prill 2015 nëse do ta respektojë ajo vendimin e vetë nga Mbledhja e jashtëzakonshme e Qeverisë lidhur me implementimin e 0.5 % për çdo vit shërbimi.
Një pjesë e përfaqësuesve të mësimdhënësve sindikalistë nga Komunat e Kosovës kanë qenë të zëshëm në kërkesën që greva të nis më 20 prill, ashtu si ishte vendosur në takimin e Këshillit Drejtues më 2 prill, por shumica e kryetarëve të Kuvendeve të Sindikatave të Arsimit Parauniversitar dhe Arsimit Universitar ka vendosur që të jepet edhe një javë afat Qeverisë për të implementuar vendimin që e ka marr me datën 17.04.2015 që me pagat e prillit 2015 të futet në mënyrë retroaktive përvoja e punës 0.5% të pagës bazë për çdo vite të përvojës së punës.
Ky veprim i Këshillit Drejtues dëshmon edhe një herë se SBASHK-u ishte dhe mbetet i përkushtuar për dialog korrekt dhe pret që Qeveria, më në fund të dëshmohet me vënien në jetë të vendimit të saj nga mbledhja e jashtëzakonshme e Qeverisë.