Rritet bashkëpunimi mes Shqipërisë e Kosovës në arsim
Prishtinë, 6 shkurt - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami sot ka takuar në Tiranë, ministren e Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, znj. Lindita Nikolla, me të cilën u pajtuan për të vijuar me të njëjtin intensitet bashkëpunimin në sistemin e arsimit parauniversitar dhe atë të lartë mes dy vendeve tona.
Ministri Bajrami dhe Ministrja Nikolla, ndanë vizionin e përbashkët për reforma për cilësinë në arsimin parauniversitar.
Ekipet tona të përbashkëta që mundësuan unifikimin e kornizës kurrikulare të orientuar nga kompetenca në 26 shkolla, konkretisht në klasat e para dhe të gjashta, do të vazhdojnë të intensifikojnë punën për implementimin e kësaj reforme në gjithë sistemin parauniversitar.
Ministri Bajrami vlerësoi debatin e hapur për Ligjin e ri të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë.
Së shpejti në agjendën tonë do të jetë edhe rishikimi i Ligjit për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës. Mbetet sfidë e përbashkët e jona që të mundësojmë mobilitetin e studentëve tanë, cilësi më të mirë për universitetet tona publike dhe private, por në të njëjtën kohë përmes standardeve të vendosura në Shqipëri dhe Kosovë të mundësohet anëtarësimi i institucioneve tona të arsimit të lartë në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, gjatë ditës ka takuar edhe Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, si dhe Komisionin për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me të cilët diskutoi për mundësitë e intensifikimit të bashkëpunimit reciprok mes dy vendeve tona.
Në fund, Ministri Bajrami ka vizituar Universitetin e Tiranës, ku ka takuar edhe Rektorin Prof. Dr. Dhori Kule.