22 Dhjetor 2024

RrGK kërkon integrimin e perspektivës gjinore në tekstet e reja shkollore

Prishtinë, 10 nëntor - Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përmes këtij reagimi shpreh shqetësim për faktin që tekste shkollore që mirëmbajnë pabarazitë gjinore ende vazhdojnë të jenë në përdorim nga nxënësit.

Në librin e klasës së pestë “Njeriu dhe Natyra”, autorët pyesin nxënësit “Pse femrat që zbulojnë belin rrezikojnë të mbeten sterile?. Ky tekst, për të cilin ka raportime në media tash e tri vite, duhet të rishikohet dhe ndrrohet urgjentisht.

Ky nuk është rast i izoluar, dhe rastet kur në tekstet shkollore hasim fjali si “Nëna kryen punët e shtëpisë”, nuk janë thjesht një lëshim. Madje, nëse nuk veprohet menjëherë, një sistem edukativo-arsimor si ky vetëm se rritë pabarazitë dhe diskriminimin gjinor, i cili veçse është mjaft shqetësues dhe një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballemi sot si shoqëri, organizata e institucione.

Për më tepër, kujtojmë se Kuvendi i Kosovës në shtator të këtij viti ka miratuar futjen e Konventës së Stambollit në Kushtetutën e Kosovës. Neni 14 i kësaj Konvente, i cili flet për arsimin, përcakton se palët marrin hapat e nevojshëm për të përfshirë materiale mësimore mbi çështje si barazia mes burrave dhe grave, mos stereotipizim i roleve gjinore, respekti i ndërsjellë, dhe zgjidhja e konflikteve pa dhunë. Kjo konventë parasheh themelimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore dhe sektorit privat në ngritjen e vetëdijes te nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit në lidhje me këtë temë.  

Përmirësimi i kurrikulës dhe teksteve shkollore nga perspektiva gjinore është pjesë e programit të RrGK-së “Përmirësimi i Qasjes në Edukim të Ndjeshëm Gjinor”, si një nga parakushtet për të jetuar në një shoqëri ku gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë gëzojnë një jetë të barabartë, me mundësi të barabarta në arsim, punësim, pjesëmarrje politike, kujdes shëndetësor dhe një jetë pa dhunë.

Duke kujtuar se barazia gjinore është jetike për realizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, respektimin e ligjit dhe demokracinë, RrGK kërkon nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës që në konkursin e hapur së fundi për tekste shkollore të reja dhe materiale për të gjitha klasat, të përmirësojë tekstet si ky i lartëcekuri dhe të sigurohet për integrimin e perspektivës gjinore. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)