Rreth 34 mijë maturantë i janë nënshtruar Provimit të Maturës
Prishtinë, 15 qershor - Rreth 34 mijë maturantë sa ka këtë vit Kosova, sot në orën 10:00, i janë nënshtruar pjesës së dytë të Provimit të Maturës, në 305 qendra të testimit në gjithë vendin.
Maturantët sot i janë përgjigjur pjesës së testit që ka të bëj me lëndët e përafërta me drejtimin.
Nehat Mustafa, kryetar i Komisionit Qëndror Shtetëror të Maturës ka bërë të ditur se sikur edhe ditën e parë të Provimit, edhe kësaj radhe gjithçka ka shkuar në rregull.
Për këtë mbarëvajtje të procesit të testimit, Mustafa ka falenderuar stafin e tri universiteteve publike të Kosovës që kanë qenë të angazhuar, administratorët, komisionerët, Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe policinë.
Z. Mustafa ka falenderuar edhe mediat, të cilat i kanë kontribuuar në mënyrë të vazhdueshme informimit rreth Provimit të Maturës.
Rezultatet e provimit të maturës do të shpallen më 24 qershor. Më pas, maturantët do të kenë 3 ditë afat që të ankohen dhe më 28 qershor do të bëhet edhe publikimi i rezultateve të ankesave.
Ata që nuk do të mund të arrijnë pragun e kalueshmërisë prej 50 përqind kësaj radhe, do ta kenë edhe një mundësi në afatin e gushtit.