ROI Academy ofron 120 bursa për personat me nevoja të veçanta
Prishtinë, 12 shtator - Në një kohë kur personat me nevoja të veçanta ende janë të lënë pas dore, dhe për më tepër, nuk përfillen as ligjet e rregulluara për ta, po ndërmerren nisma të ndryshme private, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për trajtim të mirëfilltë të personave të përfshirë në këtë kategori.
Problemi më madhor i personave me nevoja të veçanta, edhe më tutje vazhdon të mbetet mospërfshirja e tyre në vendet e punës, çfarë ua pamundëson të ndihen të barabartë me pjesëtarët e tjerë të shoqërisë.
Duke e pasur parasysh faktin që këta persona, jo vetëm që kanë probleme për t’u qasur në tregun e punës, por edhe për t’u shkolluar, atëherë qendra e trajnimeve profesionale, ROI Academy, ka vendosur që të ndërmarrë një hap për t’i ndihmuar personat e kësaj kategorie, por edhe për t’i sensibilizuar bizneset që punësimi i tyre nuk është barrë, por vlerë e shtuar e secilës kompani.
Sipas drejtorit ekzekutiv të ROI Academy, Arb Abdyli, ndarja e këtyre bursave është momenti më i veçantë që nga themelimi i kësaj akademie.
“E dimë që personat me nevoja të veçanta fizike janë të diskriminuar dhe nuk u janë plotësuar kushtet as për qasje në edukim dhe as në punësim. Ne po mundohemi ta ndryshojmë këtë gjë, duke i pajisur ata me njohuri praktike mbi fushat aktualisht më të kërkuara në tregun e punës”, theksoi ai.
Sipas tij, inspirimi për ndërmarrjen e kësaj nisme ka ardhur pasi një person i verbër, edhe përkundër të gjitha vështirësive dhe pengesave, pak muaj më parë ishte bashkëngjitur dhe e kishte përfunduar me sukses trajnimin për marketing digjital.
Përzgjedhja e përfituesve do të bëhet bashkërisht me organizatat dhe individët që merren me këtë kategori, ndërkaq të njëjtit do të kenë mundësi të përzgjedhin 9 fusha të ndryshme për t’u trajnuar, përfshirë marketingun digjital, dizajnin grafik, programimin, video animacionin, sigurinë kibernetike, etj.
Përmes kësaj nisme, ROI Academy po synon të nxisë dhe inspirojë të gjitha bizneset që të japin kontributin e tyre përmes punësimit, shkollimit dhe aftësimit profesional të personave me nevoja të veçanta.
Sipas ligjit të Kosovës, një ndërmarrje është e obliguar që në çdo 50 të punësuar të punësojë një person me nevoja të veçanta, ndërkaq, sipas statistikave, në Kosovë jetojnë rreth 250.000 persona që i takojnë kësaj kategorie.