Rektori i ri i Universitetit dihet më 8 shtator
Prishtinë, 25 gusht - Për të parin e Universitetit të Prishtinës në garë janë gjashtë kandidatë, të cilët pretendojnë ta udhëheqin për dy vjet këtë institucion të arsimit të lartë në vend.
Anton Berishaj, profesor në Fakultetin e Filozofik, Behxhet Mustafa, profesor në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, në Departamentin e Biologjisë, Adem Nura, profesor në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe të Sporteve.
Ramadan Zejnullahu, profesor në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, në Departamentin e Matematikës, Berim Ramosaj, profesor në Fakultetin Ekonomik dhe Isuf Musliu, profesor në Fakultetin Filozofik, janë kandidatët që kanë konkurruar për këtë post.
Udhëheqësit e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, theksojnë se tashmë Senati ka formuar Komisionin prej pesë anëtarëve, i cili është duke verifikuar dhe plotësuar dokumentacionin e nevojshëm të kandidatëve konkurrentë për të parin e Universitetit Publik \"Hasan Prishtina\", dokumentacion ky që brenda kësaj jave pritet t\'i dorëzohet Këshillit Drejtues.
Shefkije ISLAMAJ, kryesuese e Këshillit Drejtues UP, tha se këtë javë do ta përfundojmë punën, në mënyrë që me datën 8 shtator, ta kemi Rektorin e ri.
Kryesuesja Islamaj premton se do të respektohen të gjitha kriteret e parapara të konkursit, duke theksuar se do të ndalohen të gjitha përpjekjet për të ndikuar në këtë proces
Në bazë të Statutit të Universitetit, kriteret për kandidatët konkurrentë për Rektor janë që ata duhet të kenë përvojë të dëshmuar në mësimdhënie, akademike dhe kërkime shkencore, në nivel të profesorit të rregullt, profesorit të asocuar apo profesorit asistent të Universitetit të Prishtinës si dhe të kenë përvojë dhe aftësi të dëshmuara menaxheriale.
Rektori i ri do të ketë mandat dyvjeçar, përkatësisht do të vazhdojë mandatin e ish-rektorit, Ibrahim Gashi, për periudhën e mbetur të mandatit paraprak deri më 30 shtator 2016.