Rektori Dema uron studentët pas provimit pranues
Prishtinë, 19 korrik - Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema vizitoi sot njësitë akademike ku janë mbajtur provimet pranuese për kandidatët për studentë të rinj të UP-së.
Rektori Dema gjatë kësaj vizite ishte i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij: prorektorja për buxhet dhe financa në UP, prof. dr. Myrvete Badivuku, prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar, prof. asoc. dr. Merita Berisha si dhe këshilltari i tij, prof. Rrustem Qehaja.
Në fjalën drejtuar të pranishmëve, Rektori Dema u shpreh i kënaqur me përgatitjet që janë bërë rreth organizimit të këtij provimi. Ai u dëshiroi suksese kandidatëve, teksa u premtoi që pjesë e Universitetit më të madh në vend do të jenë kandidatët më të mirë.
“Ky Universitet është kaq madhështor falë faktit që çdo herë në këto porta kanë hyrë studentë të cilët kanë arritur të bëhen të mëdhenj në karrierën e tyre. Ata me njohuritë e fituara i kanë shërbyer vetës, familjes, kombit dhe komunitetit në përgjithësi” tha Dema.
Rektori Dema gjithashtu inkurajoi kandidatët që të punojnë drejt arritjes së synimeve të tyre. “Rrugët e vështira janë çdoherë ato që ju dërgojnë tek destinacionet më të bukura. Andaj, shpresoj që ky udhëtim i nisur sot të mos përfundoj këtu, por të ketë fundin tek realizimi i synimeve tuaja, duke u aftësuar për profesionin që tashmë keni zgjedhur” u shpreh Rektori.
Në anën tjetër, dekanët e njësive akademike si dhe profesorët mbikëqyrës e informuan Rektorin Dema se gjithçka rreth organizimit të provimeve pranuese po shkon sipas planifikimit dhe se nuk është raportuar ndonjë pakënaqësi nga ana e kandidatëve.
Menaxhmenti i UP-së gjatë ditës së sotme vizitoi Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, Fakultetin Juridik, Fakulteti Filozofik dhe Fakultetin e Shkencave Matematike- Natyrore.
Universiteti i Prishtinës, në vitin e parë të studimeve, në afatin e parë të konkursit për vitin akademik 2018/2019, do të regjistrojë 7066 studentë, prej të cilëve 6156 studentë të rregullt dhe 910 me korrespondencë.