Rektori Berishaj vizitoi komunitetin Çam në Izmir
Izmir, 3 qershor - Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit me Universitetin Dokuz Eylül të Izmirit si dhe takimit më përfaqësues të departamenteve të ndryshme të këtij Universiteti, Rektori Berishaj (u.d.) vizitoi edhe komunitetin Çam të Izmirit.
Vizita u bë në lokalet e Shoqatës Çameria Arnavutlari Kültür Derneği nën udhëheqjen e kryetarit Izzet Şimşek dhe drejtues të kryesisë së shoqatës. Ishte një takim i ngrohtë dhe konstruktiv.
Në fjalën e tij hyrëse, kryetari Şimşek i uroj mirëseardhje rektorit Berishaj duke e njoftuar këtë të fundit me aktivitetet e shoqatës dhe me projektet të ardhshme të saj në funksion të avancimit të pozitës së çamëve në Turqi.
Sipas kryetarit Şimşek, i tërë aktiviteti i kësaj shoqate realizohet me moton Çam Lab Gegë jemi një degë. Një nga aktivitetet kryesore të kësaj shoqate është edhe organizimi i mësimit të gjuhës shqipe, që ka filluar në tetor të vitit 2013 nën kujdestarinë e studiuesit Şevket Balla.
u.d. Rektori Berishaj mori pjesë në një orë të mësimit, ku pa nga afër zhvillimin e mësimit të gjuhës shqipe në këtë shoqatë.
I entuziazmuar me këtë aktivitet, Rektori (u.d.) Berishaj përgëzoi si vijuesit e kursit ashtu edhe studiuesin Balla për vullnetin dhe punën e palodhshme të tyre, të cilën ai e cilësoi si aktivitet tepër të frytshëm dhe me rezultate afatgjata.
Pas orës së mësimit, u zhvillua një takim i ngrohtë joformal si me vijuesit e kursit ashtu edhe me drejtuesit dhe me shumicën e anëtarëve të shoqatës.
Rektori (u.d.) Berishaj përgëzoi të pranishmit për punën e bërë, vullnetin e treguar, gatishmërinë e dëshmuar dhe guximin e fuqishëm të tyre për të punuar në drejtim të ruajtjes së gjuhës, traditës dhe kulturës shqiptare.
Ai inkurajoi të pranishmit që fëmijët e tyre ti dërgojnë për studime në Universitetin e Prishtinës, duke iu premtuar që do ti shfrytëzojë të gjitha mekanizmat ligjorë në fuqi që pjesëtarët e këtij komuniteti të bëhen pjesë e jetës studentore në UP.
Ky është kontributi më i vogël se çfarë unë si rektor mund ta ofrojë tha Rektori (u.d.) Berishaj në përmbylljen e fjalës së tij të rastit.