Rektorët e Universiteteve Publike diskutojnë për regjistrimin e studentëve
Mitrovicë, 1 korrik - Në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), u mbajt të hënën mbledhja e Konferencës së Rektorëve të Universiteteve Publike të Kosovës, ku u bisedua për sfidat dhe problemet aktuale me të cilat përballen këto universitete.
Në mbledhje u shqyrtuan tri pika të rendit të ditës; numri i studentëve që do të regjistrohen në vitin akademik 2019/2020, statutet e përkohshme të katër universiteteve dhe akreditimi institucional.
Sa i përket numrit të studentëve që do të regjistrohen në vitin akademik 2019/20, të pranishmit u pajtuan që t’i drejtohen me një kërkesë ministrit të Arsimit, që të lejohet regjistrimi i studentëve të komuniteteve pakicë dhe atyre jashtë Kosovës mbi numrin e përgjithshëm të lejuar sipas akreditimit.
Kjo u vlerësua si masë e domosdoshme në mënyrë që të mos dëmtohen shumë programe studimore nëpër universitete, duke pasur parasysh se shumë prej kuotave për studentët e komuniteteve dhe atyre jashtë Kosovës nuk plotësohen.
Ndërsa sa i përket statuteve të përkohshme që kanë 4 nga 7 universitet publike, u dakorduan që të krijohet një grup i përbashkët për hartimin e tyre dhe procedimin sa më të shpejtë për miratim në Kuvendin e Kosovës.
U vlerësua se statutet e përkohshme janë duke penguar zhvillimin e këtyre universiteteve, prandaj shtrohet nevoja që sa më shpejtë të miratohen statutet e përhershme.
Në mbledhje u diskutua edhe për shqetësimet në lidhje me rekomandimet e ekspertëve të jashtëm për disa universitete sa i përket akreditimit institucional.
Për këtë dhe çështje të tjera me rëndësi për universitet është biseduar të hënën edhe në një takim që rektorët kanë zhvilluar me ministrin e Arsimit.