Rekrutimi i paharmonizuar i drejtorëve të shkollave në Kosovë

Prishtinë, 15 shtator - Konkursi për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë të shkollave i shpallur nga Zyra e Personelit të Komunës së Prizrenit, që është kontestuar nga Inspektorati i Arsimit dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka vënë në pah mungesën e harmonizimit të legjislacionit dhe procedurave në nivel vendi për rekrutimin e drejtuesve të shkollave fillore dhe të mesme.
Në bazë të hulumtimit të EC Ma Ndryshe del se kjo çështje është duke u zvarritur prej muajsh, ndërkohë që institucionet kompetente ende nuk kanë gjetur një definimin të qartë nëse drejtorët janë shërbyes profesional apo shërbyes civil.
MASHT përmes një shkrese ka njoftuar se shpallja e konkursit për drejtor dhe zv.drejtor të shkollave në Komunën e Prizrenit, në formën dhe përmbajtjen si është bërë është e kundërligjshme.
MASHT është njoftuar në lidhje me këtë konkurs nga drejtori i DKA-së në Prizren dhe Inspeksioni i Arsimit menjëherë ka dërguar vendimin për anulimin e konkursit. Ky vendim është apeluar edhe në shkallë të dytë dhe përsëri MASHT ka nxjerr vendim për anulim të konkursit, thuhet në përgjigjen e marrë nga MASHT-i.
Ky dikaster qeveritar sqaron se dispozitat e Ligjit për Arsimin Parauniversitar përcaktojnë se drejtorët e institucioneve arsimore dhe aftësuese zgjidhen në bazë të Ligjit për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës dhe kritereve të përcaktuara nga MASHT-i me akt nënligjor, derisa kandidatët që aplikojnë për pozitën e drejtorit të një institucioni arsimor duhet të posedojnë licencën si mësimdhënës të kualifikuar.
Zyra e Personelit në Komunën e Prizrenit përmes një shkrese ka njoftuar se Inspektorati i Arsimit ka marrë vendim për anulimin e konkursit në fjalë, porse i njëjti nuk është zbatuar meqë ky organ nuk është mbikëqyrës i shërbimit civil.
Kjo Zyre ka bërë të ditur se në lidhje me këtë çështje nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ekzistojnë 2 vendime, në bazë të cilave rrjedh se drejtorët dhe zv.drejtorët e shkollave duhet të trajtohen në bazë të Ligjit për Shërbimin Civil dhe Rregullores për procedura të rekrutimit në shërbimin civil.
Kërkesat e MASHT-it janë që konkurset dhe procedurat e rekrutimit të zhvillohen në bazë të ligjeve dhe udhëzimeve të MASHT-it, gjë që është e kundërt me vendimin e KPMSHCK-së, thuhet në përgjigjen e marrë nga ZP.
Kjo Zyre ka ofruar dëshmi se ka marrë opinion ligjor nga Ministria e Administratës Publike në bazë të cilit drejtorët në institucionet e arsimit parauniversitar gëzojnë statusin e nëpunësit civil dhe ka nënvizuar se ka përfillur katalogun për vendet e punës si dhe ka marrë autorizimin për shpallje të konkurseve nga MAP, derisa kërkesa për shpallje të konkursit ka ardhë nga DKA-ja.
Drejtoria e Arsimit në Prizren ka pohuar se para shpalljes së konkursit ka kërkuar interpretim ligjor nga MASHT-i dhe meqë i njëjti nuk ka ardhur me kohë, Zyra e Personelit ka shpallur konkursin sipas listës që ka marrë nga DKA-ja, por pa u mbështetur në Ligjin për Arsimin Parauniversitar dhe Ligjin për Arsimin në Komunat e Kosovës, por vetëm në Ligjin për Shërbyesit Civil.
IA dy herë e ka anuluar konkursin dhe MASHT e ka quajtur të jashtëligjshëm, ndërsa Zyra e Personelit me 28 gusht ka rishpallë konkursin, duke mos e marrë parasysh sugjerimin e MASHT-it. Andaj ne si DKA nuk jemi në gjendje të deklarohemi, pasi kjo çështje tani i takon MASHT-it dhe MAP-it, që të merren në mes vete dhe të zhbllokojnë këtë situatë, thuhet në përgjigjen e DKA-së.
KPMSHCK në përgjigjen zyrtare ka bërë të ditur se në të gjitha vendimet dhe rekomandimet e dhëna, drejtorët dhe zëvendësdrejtorët e shkollave, i ka trajtuar si nëpunës civil, me të cilin qëndrim janë të njoftuara komunat, Ministria e Administratës Publike si dhe Ministria e Arsimit.
Ministria e Arsimit, deri më tani nuk ka kërkuar ndonjë udhëzim apo koordinim me Këshillin, duke përjashtuar takimin e fundit të datës 25.08.2015, në mes të Ministrisë së Administratës Publike, Këshillit dhe Ministrisë së Arsimit, ku nga Këshilli dhe nga Ministria e Administratës Publike, është përsëritur qëndrimi që drejtorët dhe zëvendësdrejtorët janë nëpunës civil, thuhet në përgjigjen e KPMSHCK.
Këshilli thekson se në vendimet e deritanishme, për të gjitha rastet kur ka pasur autorizim nga Ministria e Administratës Publike për shpalljen e konkursit, i ka njohur përjashtimet në procedurën e rekrutimit të përcaktuara me dispozitat e Udhëzimit Administrativ nr. 08/2014 për procedurat dhe kriteret e zgjedhjes së drejtorit dhe të zëvendësdrejtorit të institucionit edukativo arsimor dhe aftësues.
Ndërkohë MASHT ka theksuar se në të gjitha komunat tjera, përzgjedhja e drejtorëve dhe zv.drejtorëve realizohet në përputhje me legjislacionin në fuqi për arsim. MASHT ka përkujtuar se Ligji për Arsimin Parauniversitar ka hyrë në fuqi më 31 gusht 2011, derisa Ligji për Shërbimin Civil ka hyrë në fuqi më 14 qershor 2010 dhe se në nenin 50 të Ligjit për Arsimin Parauniversitar, neni 50, shfuqizon të gjitha dispozitat tjera ligjore që janë në kundërshtim me këtë ligj.
Për MASHT janë të papranueshme këto shkelje dhe ne do të marrim masa në përputhje me autorizimet ligjore. Çfarëdo procedimi me këtë çështje në kundërshtim me ligjet është i pavlefshëm dhe dëmton rëndë cilësinë e arsimit në Prizren, thuhet në përgjigjen e MASHT-it.
EC Ma Ndryshe ka gjetur se Komuna e Gjilanit më 7 shtator 2015 ka shpallur konkursin për drejtorë shkollash nё bazë tё Ligjit për Arsimin nё Komuna, Ligjit për Arsimin Parauniversitar dhe Udhëzimit Administrativ 08/2014. Komuna e e Ferizajt, më 15 korrik 2015 ka shpallur konkursin për drejtorë shkollash në mbështetje të Ligjit për Arsimin Parauniversitar, Ligjit për Arsimin në Komuna, Ligjit të Punës dhe UA-së 08/2014 të MASHT-it.
Komuna e Prishtinës më 26 shkurt 2015 ka shpallur konkursin për drejtorë shkollash në bazë të Ligjit për Arsimin në Komuna dhe UA të MASHT-it 08/2014. Komuna e Gjakovës, më 3 shkurt 2015 ka shpallur konkursin për drejtorë shkollash në bazë të Ligjit për Arsimin Parauniversitar, Ligjit të Punës dhe UA-së 08/2014 të MASHT-it.
Komuna e Mitrovicës së Jugut më 11 qershor 2015 ka shpallur konkursin për drejtorë të shkollave në bazë të Ligjit për Arsimin nё Komuna, Ligjit për Arsimin Parauniversitar, Ligjit për Shërbimin Civil, UA-së 08/2014 të MASHT-it dhe pas autorizimit të marrë nga MAP/DASHC.
Duke i marrë për bazë këto të gjetura EC Ma Ndryshe konstaton se institucionet e nivelit qendror duhet që në afatin sa më të shkurtër kohor të harmonizojnë legjislacionin dhe procedurat, si dhe ti ofrojnë udhëzime të qarta e të përpikta nivelit komunal për zgjedhjen e drejtuesve të shkollave fillore dhe të mesme. Vonesat në këtë drejtim mund të jenë të dëmshme për shkollat, meqë viti shkollor tashmë ka nisur, ndërkohë që në Prizren ende nuk janë përzgjedhur drejtorët e shkollave.
EC Ma Ndryshe rekomandon që harmonizimi dhe udhëzimi ti eliminojë të gjitha ndërhyrjet e mundshme politike e partiake në procesin e përzgjedhjes së drejtorëve, marrë parasysh rolin e rëndësishëm që kanë ata në menaxhimin e shkollave, por edhe gjatë procesit elektoral.
Projektin Indeksi i Reformës së Transparencës Komunale EC Ma Ndryshe ka nisur që ta zbatoj nga maji i vitit 2015, falë përkrahjes së Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, i cili do të ketë shtrirje në shtatë komunat kryesore të Kosovës, Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj dhe Gjakovë.
Projekti në fjalë ka për qëllim që ti asistoj komunat në identifikimin e mangësive kryesore sa i përket transparencës sikurse edhe të ofroj udhëzime për adresimin dhe tejkalimin e tyre. Indeksi i Transparencës paraqet edhe një përpjekje të strukturuar për të mbështetur komunat e Kosovës në përmbushjen e standardeve të qeverisjes së mirë, të përcaktuara me reformën e qeverisjes lokale dhe agjendën evropiane të Kosovës.