Reagim ndaj arrestimeve të studentëve aktivistë në Tiranë
Prishtinë, 10 Qershor Sot u shpërfaq edhe njëherë represioni policor kundër studentëve. Në Tiranë, pak orë më parë u arrestuan rreth dhjetë aktivistë të Lëvizjes që është vënë në mbrojtje të Universitetit.
Iracionaliteti i pushtetit nuk e duron dot përkushtimin për dije. Kur pushteti sulmon dijen, dija bëhet dije për rezistencë, e rezistenca duke qenë universale është kushti dhe mundësia për Universitetin. Studentët aktivistë janë sot garanti i Universitetit.
Studentët ishin mbledhur perballë zyrave të Kuvendit të Rrepublikës së Shqipërisë për të reaguar kundër Reformës për Arsimin e Lartë. Tubimi i tyre ishte i drejtë, por sipas urdhërit policor i paligjshëm. Për më tepër, aktivistët e Lëvizjes \'Për Universitetin\' janë kapur jashtë lokacionit të Kuvendit ku ndodhi tubimi.
Arrestimi për arsye të pjesëmarrjes në protestë nuk ndodh më as në vend që sadopak duan ta mbulojnë arbitraritetin policor me vellon e demokracisë. Ai shtet që detyron e vendos rregulla për qytetarët se kur të protestojnë, pse të protestojnë, dhe ku të protestojnë është zhytur në labirinthet e tiranisë e autoritarizmit.
Shoqet dhe shokët tanë studentë duhet të lirohen menjëherë, dhe njëherit inkurajojmë studentët për intensifikimin e përpjekjeve të tyre të drejta e të domosdoshme për Universitetin dhe për shoqerinë.