29 Dhjetor 2024

Ramadani: UP-ja ishte simbol i rezistencës së popullit

Prishtinë, 15 shkurt - Sot Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” shënon 46-vjetorin e themelimit. Me këtë rast, rektori i këtij Universiteti, Ramadan Zejnullahu, ka thënë se Universiteti i Prishtinës ka qenë sinonim i progresit dhe aspiratave të popullit tonë.

“Në të kaluarën më të largët ky institucion i ka kontribuar popullit tonë me kuadrot e para që janë vënë në ballë të zhvillimit ekonomik, shoqëror e politik të Kosovës dhe viseve të tjera të banuara me shqiptarë. Ka shërbyer edhe si shkollë, edhe si vatër qëndrese, edhe si simbol i rezistencës të një populli të shtypur, por që nuk dorëzohej. Jemi krenarë me studentët dhe profesorët që janë meritorë për këto të arritura”, ka thënë Zejnullahu.

Ai ka shtuar se në kohën e tanishme, kur jetojmë të lirë dhe kur aspiratat kombëtare janë realizuar ose janë në rrugë të mirë për t’u realizuar, Universiteti duhet t’i përgjigjet aspiratës sonë të re, transformimit të Kosovës në shoqëri të dijes. “Jo vetëm se duhet të jemi shoqëri që krijon dije dhe e shfrytëzon atë për të mirën e qytetarëve, por duhet të jemi shoqëri konkurrente e dijes që është në gjendje të ofrojë perspektivë për qytetarët e vet. Për fat të keq, në vitet e fundit as si Universitet e as si shoqëri nuk kemi dëshmuar se jemi në këtë rrugë. Përkundrazi, jemi identifikuar më shumë me ngecje e më pak me arritje, më shumë me probleme e më pak me aspirata”, është shprehur Zejnullahu.

Ai ka thënë se Universiteti do të vazhdojë të funksionojë edhe në të ardhmen me të gjitha ngecjet, problemet, arritjet dhe aspiratat e veta. “Së voni, e patëm mundësinë të votojmë për stafin udhëheqës nëpër fakultete dhe për anëtarët e Senatit, ndërsa së shpejti pritet edhe përfundimi i procesit zgjedhor. Koha do të tregojë a e kemi bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme dhe a do të jetë Universiteti më afër ngecjeve dhe problemeve, apo do të jetë më afër arritjeve dhe aspiratave madhore”, është shprehur rektori Ramadani, duke shtuar se stafi akademik e administrativ duhet t’i shërbejnë interesit publik dhe studentëve.

“Sidoqoftë, gjithnjë duhet ta kemi parasysh se ky Universitet është publik dhe, ne, stafi akademik e administrativ, jemi këtu për t’i shërbyer interesit publik dhe, nënkuptohet, studentëve, por jo vetëm atyre gjeneratave që janë duke u shkolluar aktualisht, por edhe atyre që do të vijnë të shkollohen pas shumë vitesh. Prandaj, kemi obligim institucional të jemi stabilë dhe t’i respektojmë kriteret, t’i kryejmë me përgjegjësi detyrat tona të punës. Me një fjalë, e kemi obligim të jemi shembull i korrektësisë dhe i profesionalizmit, sepse ne jemi ata që edukojmë gjenerata të reja të ekspertëve që do ta bartin barrën e zhvillimit të kësaj shoqërie”, ka deklaruar rektori i UP-së, Ramadan Zejnullahu.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)