14 Nëntor 2024

Qeveria përkrahë pavarësinë e plotë të Universitetit të Prishtinës

Prishtinë, 12 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka vizituar Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, për të uruar rektorin e ri Marjan Dema me rastin e fillimit të punës.

Kryeministri Mustafa u shpreh i lumtur me nismën e punëve të mira në këtë Universitet.


“I uruam suksese rektorit të Universitetit dhe organeve të Universitetit dhe shpresojmë se do të ketë një bashkëpunim shumë më të mirë me Këshillin Drejtues, me Senatin e Universitetit, me dekanatet e fakulteteve, që është një domosdoshmëri për t’u rikthyer në gjendjen normale dhe sukses në Universitet, dhe ne jemi të sigurt se me rektorin e ri kjo do të ndodh”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa u zotua se do të ruhet pavarësia e plotë e Universitetit, duke dhënë mbështetjen e duhur për të krijuar infrastrukturën e domosdoshme për këtë Universitet.


“Po ashtu i dhamë përkrahjen tonë edhe financiare edhe përkrahjen në investime të cilat do të ndodhin për të krijuar infrastrukturë të domosdoshme për Universitetin, dhe zotimin tonë se ne do ta ruajmë pavarësinë e plotë të Universitetit, në mënyrë që Universiteti të veprojë në mënyrë të pavarur, dhe të realizoj një rol tepër të rëndësishëm që e ka. Ne besojmë shumë në cilësinë e punës në Universitet, të profesorëve, të studentëve dhe në rezultatet që ata do t’i arrijnë në një udhëheqje të re të Universitetit të Prishtinës”, theksoi kryeministri.


Nga ana e tij, rektori Dema njoftoi kryeministrin Mustafa dhe ministrin Bajrami për punët që janë duke u bërë në stabilizimin e Universitetit.


“Universiteti i Prishtinës veç e ka filluar hapin e parë të stabilizimit. Ka filluar komunikimi ndërmjet rektoratit me bordin drejtues, me njësitë akademike dhe sigurisht edhe me MASHT-in. Ky proces do të vazhdoj të thellohet edhe më shumë, në mënyrë që të gjitha ato sfida që janë grumbulluar, që nuk janë të pazgjidhshme t’i zgjidhim, gjithmonë duke respektuar statutin, Ligjin mbi Arsimin e Lartë dhe me siguri në harmoni me hapësirën evropiane të arsimit të lartë, në mënyrë që Universiteti i Prishtinës të kthehet në binarë normal e pastaj të arrijë atë qëllimin tim, vizionin tim, ku dëshiroj që Universiteti i Prishtinës të jetë pas katër vjetësh”, ka thënë rektori.


Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka vlerësuar lartë qasjen konstruktive të rektorit, që sipas tij, ndihmon që Universiteti të hyj në një proces të stabilizimit, të kthimit të rendit dhe dialogut akademik.


“Do t’i japim mbështetje të plotë Universitetit të Prishtinës në vendosjen e rendit, rregullit, duke kërkuar gjithmonë respektimin e plotë të Ligjit për Arsimin e Lartë, Statutit, dhe jemi të sigurt që qasja që e ka ofruar rektori, profesori Marjan Dema, qasja e dialogut akademik, qasja e zgjidhjes së problemeve në mënyrë qytetëruese dhe akademike, është qasja e duhur dhe ne jemi plotësisht të gëzuar që kjo qasje tani po pranohet gjerësisht nga profesorët dhe studentët, në mënyrë që vërtetë Universiteti i Prishtinës ta luajë një rol prijës në sferën e arsimit të lartë, dhe të jetë një shtytës edhe tek universitete tjera që edhe ato të lëvizin me cilësinë, që të ndërtojmë një sistem të avancuar të arsimit të lartë”, ka thënë ministri Bajrami.


Po ashtu, ministri Bajrami bëri të ditur që së bashku me Agjencinë e Akreditimit, po punohet që programet e këtij Universiteti, sikur edhe universitetet tjera publike, por edhe të kolegjeve private, që të përshtaten me nevojën e tregut të punës. E gjithë kjo, sipas ministrit Bajrami, do të bëhet duke ikur nga numri i madh i programeve të panevojshme, por duke krijuar programe të cilat mundësojnë që në fund studentët të punësohen.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)