15 Nëntor 2024

Qeveria miratoi Planin Strategjik të Arsimit në Kosovë 2017-2021

Prishtinë, 7 dhjetor - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka mbajtur mbledhjen e 119 të rregullt, në të cilën ka miratuar ndër të tjera Planin Strategjik të Arsimit në Kosovë 2017-2021.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, gjatë mbledhjes e ka vlerësuar si shumë të arsyeshme që në këtë mbledhje ishte vënë për miratim Plani Strategjik i Zhvillimit të Arsimit, një ditë pas vlerësimit ndërkombëtar PISA, i cili ka nxjerrë rezultate jo të kënaqshme për sistemin arsimor.

“Tani po shihet se vlerësimet tona në fillim të mandatit që niveli i cilësisë në arsim nuk është në nivel të dëshiruar, kanë qenë të sakta dhe ne ende pa dalë ky vlerësim, që ka ndodhur në muajin prill 2015, kemi miratuar shtatë shtyllat preventive, të cilat do të ndërtojnë një politikë kombëtare për përmirësimin e sistemit arsimor.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria ka miratuar Strategjinë Kombëtare për Sigurimin e Cilësisë, kurse në ndërkohë është përfunduar procesi i rishikimit të pilotimit të kurrikulave dhe kurrikula do të jetë në nivel kombëtar.

Poashtu ka përfunduar procesi i rishikimit të teksteve shkollore. Është aprovuar Korniza Kombëtare e Zhvillimit Profesional të Trajnimit dhe Ndërtimit të Karrierës së Mësimdhënësve.

Është miratuar legjislacioni i nevojshëm dhe sot po e diskutojmë një dokument shumë të rëndësishëm, të cilin unë do ta prezantoj.

\"Mendoj se vlerësimi i PISA-s është momenti i fundit i një vetëdijesimi të përgjithshëm shtetëror, shoqëror dhe kombëtar për trajtimin e arsimit si prioritet kryesor kombëtar, sepse duke e trajtuar arsimin si prioritet numër një në nivel kombëtar, ne do të sigurojmë zhvillim ekonomik, do të mundësojmë punësim, mirëqenie dhe do të mundësojmë shërbime të mira publike, për çfarë edhe jemi të obliguar\", ka theksuar ministri Bajrami.

Andaj, me këtë rast, a ka bërë apel të përgjithshëm shoqëror, për të gjithë faktorët relevantë që edukimi dhe arsimi të trajtohen si prioritet kryesor kombëtar edhe në politikat e buxhetit, edhe në ato investive, sepse vlerësoj se në periudhën pas pavarësisë, ndërtimi i një sistemi cilësor të edukimit, është një nga prioritetet kombëtare që duhet të fokusojë të gjitha institucionet.

Më tej, ministri Bajrami, ka bërë arsyetimin e Planit Strategjik të Zhvillimit të Arsimit për periudhën 2017-2021.

“Ky Plan Strategjik është dokumenti bazë për zhvillimin e sektorit të arsimit në Kosovë për periudhën 2017-2021. Qëllimi i këtij plani është të përcaktojë kahet e zhvillimit të sistemit të arsimit për periudhën 2017-2021, në mënyrë që arsimi të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit. Si i tillë, Plani Strategjik për Zhvillimin e Arsimit në Kosovë, është në përputhje të plotë me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim”, tha ministri Bajrami.

Në fushën e gjithpërfshirjes sipas tij janë arritur sukseset e pamohueshme. Kosova mund të krahasohet me secilin vend në rajon, madje edhe me shumë vende të zhvilluara evropiane në aspektin e fëmijëve dhe të rinjve në arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë. Megjithatë, gjatë pesë viteve të ardhshme, ky plan parasheh masat për të përmirësuar përfshirjen e fëmijëve në edukimin parashkollor, pasi që kjo periudhë jetësore është shumë e rëndësishme për zhvillimin e personalitetit.

\"Ne kemi obligim të ndikojmë për një sistem arsimor që ofron cilësi, sepse duam që Kosova të jetë një shoqëri, e cila zhvillimin e vetëm e bazon në dije, ndërsa qytetarët e saj të posedojnë njohuri dhe shkathtësi që e bëjnë të pabesueshëm në vend ashtu edhe jashtë vendit. Përmes cilësisë ne e zhvillojmë ekonominë tonë, krijojmë vende pune, në përgjithësi bëhemi konkurrentë në rajon dhe në botën globale\", ka shtuar ai.

Prandaj sipas tij Plani parasheh zbatimin e kurrikulës, të bazuar në kompetenca, të pajisë shkollat me teknologji të informacionit dhe përmirëson cilësinë e teksteve arsimore mbi të gjitha përmirëson cilësinë e mësimdhënies në të gjitha nivelet e sistemit arsimor.

Ndërkaq, në arsimin e lartë, bën fuqizimin  e mekanizmave të cilësisë, duke i zbatuar me përpikëri kriteret dhe procedurat e akreditimit dhe duke i ndihmuar institucionet e arsimit të lartë që t’i përmbushin standardet e cilësisë.

Shtylla e tretë është më e rëndësishme dhe nënkupton funksionin e llogaridhënies, që është parakusht për mirëfunksionimin e sistemit të arsimit. Përderisa, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është përgjegjëse për ndërtimin e politikave, kurrikulave, inspektimit dhe në përgjithësi në krijimin e kushteve optimale për punën në shkollë, komunat janë përgjegjëse për perfomancën e shkollave, ndërkaq, shkollat dhe personeli i saj janë përgjegjëse para komunitetit për suksesin e fëmijëve.

Prandaj, ky plan, parasheh që bashkë me komunat të ndërtojmë një sistem, i cili ofron llogaridhënie funksionale në të gjitha nivelet e sistemit të arsimit, duke përfshirë përmirësimin e menaxhimit të shkollës, funksionalizimin e sistemit për licencimin e mësimdhënësve, vlerësimin e performancës së shkollave, si dhe rritjen e besueshmërisë së testeve kombëtare, që kanë të bëjnë me vlerësimin e njohurive, shkathtësive të nxënësve.

Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë është rezultat i punës ekipore dhe pjesëmarrjes së gjerë të të gjitha palëve me interes, si autoriteteve lokale, institucioneve arsimore, partnerëve zhvillimorë, organizatave të shoqërisë civile dhe shumë faktorëve tjerë relevantë.

Vlerësimi i kostos së Planit Strategjik të Arsimit në Kosovë, është rezultat i një procesi të gjerë të konsultimeve brenda institucioneve të Kosovës, por edhe me partnerët zhvillimorë dhe me shoqërinë civile.

Me këtë rast, janë marrë parasysh nevojat e vendit për zhvillimin e mëtejmë të sistemit arsimor, të siguroj nga fakti që Kosova ka popullsinë më të re në Evropë. Janë marrë parasysh edhe Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2017-2019, si dhe gatishmëria dhe planet e donatorëve për të mbështetur arsimin në Kosovë.

Prandaj, sigurimi i fondeve për zbatimin e PSA-së, nënkupton një rishikim të mundësive buxhetore të Qeverisë dhe konsultimeve plotësuese me donatorët dhe komunat, të cilat mendohet që mund të sigurojnë edhe pjesë të fondeve.

\"Duke qenë një nga dokumentet më të rëndësishme pas Planit Strategjik Zhvillimor, kërkoj që ky plan të miratohet dhe nga miratimi i këtij plani pastaj Ministria e Arsimit të ndërtojë të gjitha politikat publike adekuate, në mënyrë që vlerësimi i ardhshëm PISA, i cili do të reflektojë punën e këtij mandati qeveritar të del shumë më i suksesshëm. Mendoj që ky vlerësim ka ardhur në kohën e duhur, pas një situate më shumë se dy dekada ku s’kemi pasur vlerësime të jashtme kredibile.\"

\"Është me rëndësi që rezultati është real, është me rëndësi që Qeveria po e merr me shumë seriozitet, sepse në ditët kur ne po e miratojmë Planin Strategjik të Zhvillimit të Arsimit, po e trasojmë edhe rrugën që vërtet të kemi përmirësime në sistemin arsimor dhe të zëmë hapin me rajonin dhe me shtetet tjera në vlerësime që do të pasojnë në vitin 2018, e sidomos në vitin 2021, ku do të shihet efekti i politikave që kemi ndërtuar gjatë këtij mandati qeveritar”, tha ministri Bajrami.

Ministri Avdullah Hoti duke e përgëzuar Ministrinë e Arsimit dhe ministrin Bajrami për përgatitjen e këtij plani strategjik, ka theksuar që deri në rishikimin e buxhetit në qershor të vitit të ardhshëm, të organizohet një konferencë e donatorëve, në shkurt apo mars të vitit të ardhshëm, për të parë kontributin e secilit prej donatorëve në mbështetjen e komponentëve të ndryshme të këtij Plani.

 Kryeministri Isa Mustafa, me këtë rast ka thënë se tashmë ka një vlerësim që është bërë nga PISA lidhur me arsimin në Kosovë, i cili tregon se duhet të bëhet shumë më shumë në këtë fushë.

“Kemi tani këtë plan strategjik dhe unë pajtohem që t’i mobilizojmë të gjitha fondet dhe të gjitha mundësitë e kësaj pjese që është pjesë materiale që të mos mungojë. Por, pastaj duhet të shohim edhe ndërhyrjet që duhet t’i bëjmë pjesës programore me pjesën profesionale që e mbajnë këtë proces mësimor, sepse domosdoshmërisht duhet të krijojmë të gjitha kushtet për të pas rezultate më të mira”, tha kryeministri Mustafa.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)