Qeveria miratoi Master-Planin dhe buxhetin shtesë për vitin shkollor 2020-2021
Vendimi i miratuar në mbledhjen e sotme është bërë sipas kërkesës së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për përkrahje institucionale dhe financiare për fillimin dhe realizimin e suksesshëm të viti shkollor 2020-2021. Mjetet e nevojshme janë llogaritur në vlerë prej 9,515,384 euro.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka paraparë format e mësimit në shkollë dhe e-mësimit, të cilat do të zbatohen në nivele dhe shërbime të ndryshme të arsimit para universitar dhe të cilat do të aplikohen varësisht nga skenari për të cilin do të përcaktohen autoritetet kosovare për zhvillimin e mësimit gjatë vitit shkollor 2020-2021.
Mësimi online dhe në distancë do të zhvillohet dhe publikohet paralelisht me aplikimin e skenarëve të ndryshëm për të qenë në dispozicion të të gjithë nxënësve në Kosovë edhe si formë rezervë në raste të situatave të paparashikuara.
Kabineti qeveritar ka miratuar gjithashtu edhe me Master-Planin e projektit për mësimin 2020, i cili shqyrton të gjitha format dhe mundësitë e organizimit të mësimit në vitin shkollor 2020-221. Dokumenti prezanton tre skenarë të ndryshëm, të mundshëm për organizimin e mësimit, sipas kushteve dhe situatave të ndryshme në institucionet e arsimit parauniversitar në Kosovë:
a) Organizimi i mësimit në shkolla – kërkon investime në pastërti, mirëmbajtje dhe dezinfektim të shkollave;
b) Mësimi i kombinuar (mësimi në shkolla dhe mësimi në distancë) – kërkon gjithashtu investim në pastërti, mirëmbajtje dhe dezinfektim. Kërkon angazhim e stafit ndihmës-rezervë duke përfshirë mësues, punëtorë teknik, mjek dhe psikolog. Ky opsion kërkon që njëkohësisht të zhvillohet edhe mësimi online.
c) Mësimi online dhe në distancë – ky opsion kërkon sigurimin dhe blerjen e pajisjeve teknologjike dhe zhvillimin e mësimit online.