Qeveria Haradinaj ka bërë një sërë shkeljesh ligjore ndaj pavarësisë të AKA-së
Që me marrjen e mandatit, Qeveria Haradinaj ka bërë një sërë shkeljesh ligjore ndaj pavarësisë dhe integritetit të institucionit të AKA-së.
GLPS konsideron se këto veprime kanë rezultuar të jenë tejet të dëmshme dhe shumë të kushtueshme për sistemin e arsimit të lartë në vend, me theks të veçantë në njohjen dhe pranimin e diplomave të studentëve kosovarë nga rrjetet evropiane të cilësisë si ENQA dhe EQAR.
Kjo ngase, si rezultat i ndërhyrjeve të shumta e të vazhdueshme të Qeverisë Haradinaj në këtë institucion, Kosova tashmë nuk është pjesë e dy prej rrjeteve më të rëndësishme evropiane të cilat mëtojnë cilësi në arsimin e lartë.
Veprimi i fundit i Qeverisë Haradinaj dëshmon mungesë të gatishmërisë për përmirësim dhe cilësohet të jetë tejet negativ në krijimin e praktikave shtetërore në raport me institucionet e pavarura sikurse është AKA.
Praktika e vendosur nga kjo Qeveri rrezikon të normalizojë ndërhyrjet politike të cilat Qeveria në ardhje dhe çdo qeveri tjetër duhet t’i kundërshtojë.
Kjo ngase në rastin konkret, ndërhyrjet politike në këtë institucion kanë dëmtuar rëndë këtë agjenci, së pari duke ia dëmtuar reputacionin, pastaj duke e përjashtuar dhe së fundmi duke ia vështirësuar ri-anëtarësimin e saj në rrjetet evropiane të lartëpërmendura.
Zhvillimet trevjeçare në institucionin e AKA-së bëjnë thirrje për trajtim të kujdesshëm dhe të veçantë nga qeveria e re.
Adresimi i pasojave të shkaktuara nga veprimet e ndërmarrura nga Qeveria Haradinaj sipas GLPS-se duhet të jetë një nga prioritetet e kësaj qeverie, me qëllim të ri-anëtarësimin sa më të shpejtë të këtij institucioni në ENQA dhe EQAR që do të siguronte cilësinë e kërkuar në sistemin e arsimit të lartë, dhe garantimin e pavarësisë së cenuar të këtij institucioni.
Prandaj, GLPS i bën thirrje Qeverisë së re që të distancohet nga çfarëdo lloj praktika të ngjashme të cilat janë në kundërshtim me mandatin e agjencive të pavarura.