Qeveria e gatshme të mbështes Akademinë e Shkencave dhe Arteve
Prishtinë, 4 janar - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Fatmir Limaj, vizituan Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, me ç’rast i uruan detyrën kryetarit, Akademik Nexhat Daci, me këtë rast u bisedua edhe sfidat dhe çështje tjera me interes.
Duke uruar detyrën dhe sukses në përmbushjen e misionit Akademik Dacit, si kryetar i sapozgjedhur i ASHAK-ut, Ministri Bytyqi shprehu gatishmërinë e MAShT –it që ta mbështesë Akademinë në realizimin e programit të saj e që është me interes madhor për popullin dhe shtetin e Kosovës .
“Ministria e Arsimit dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës janë afër njëra tjetrës ashtu siç duhet të jetë dhe do të jetë bashkëpunimi i ndërsjellë në të ardhmen e për të mirën e vendit, u shpreh ministri Bytyqi .
Ndërsa, zv/kryeministri Limaj tha se, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës i uruam detyrën kryetarit të AShAK-së dhe i ofruam mbështetjen këtij institucioni shumë të rëndësishëm dhe njëkohësisht kërkuam ndihmën institucionale që na ka munguar nga ky institucion i rëndësishëm i vendit për ndërtimin e kapaciteteve tona shtetërore.
“Qeveria e Kosovës është e gatshme të mbështes fuqishëm këtë institucion, në mënyrë që të krijohen të gjitha kushtet për të kryer misionin e tij, të fuqizimit intelektual dhe shkencor të Republikës së Kosovës dhe besoi që bashkëpunimi në mes të AShAK-së dhe MAShT-it do të forcohet përmes këshillave dhe ideve për të quar përpara vendin tonë”, tha zv/kryeministri Limaj.
Ndërsa kryetari i AShAK-së,Akademik Nexhat Daci, tha se kjo vizitë nuk ishte vetëm një vizitë uruese, por pati qasje në problemet thelbësore në arsim dhe shkencë.
Akademik Daci theksoi se, vizita ishte me karakter substancial të bashkëpunimit dhe kjo akademi si institucion madhor i këtij shteti është në funksion ofrimit të shërbimeve profesionale që i nevojiten popullit dhe çdo qeverie e cila synon të jap rezultate pozitive. “Shpresoj në rezultat pozitiv, me të cilin të gjithë do të jemi të kënaqur”, u shpreh kryetari Daci.