Punëtorët e arsimit duhet të kenë vend meritor në Ligjin e pagave
Prishtinë, 12 korrik - Një delegacion i SBASHK-ut, i kryesuar nga kryetari Rrahman Jasharaj është takuar me Koordinatorin Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri.
Delegacioni i SBASHK-ut e ka përsëritur edhe një herë vlerësimin e bazuar se punëtorët e arsimit duhet të kenë vend meritor në Ligjin e pagave .
Ky delegacion ka përcjellë te Tahiri zërin e punëtorëve të tërë sistemit arsimor të Kosovës se nëse nuk përfillen faktet dhe argumentet e SBASHK-ut lidhure me këtë çështje tepër të ndjeshme, atëherë shtatori në Arsimin Parauniversitar dhe tetori në Universitete do të nisin me greva të përgjithshme.
Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri ka dëgjuar me vëmendje shqetësimet e SBASHK-ut dhe ka marrë nga delegacioni i kësaj sindikate gjithë argumentet e ofruara duke premtuar gjithë këto do t’i analizojë me vëmendje dhe se do ta njoftojë Kryeministrin Haradinaj dhe Qeverinë për çështjet e ngritura.
Ai i ka deklaruar SBASHK-ut se duhen hequr dilemat se dikujt e në cilin do sektor a vend pune do t’i ulet paga, por si shtoi ai, ligji po përgatitet që të zgjidhet një herë e mirë e përmes ligjit çështja e pagave.