Publikohen rezultatet e Provimit të Maturës Shtetërore 2017
Prishtinë, 3 korrik - Pas përpunimit të rezultateve të Provimit të Maturës, Komisioni Shtetëror i Maturës (KShM), sot i publikoi këto rezultate për të gjithë maturantët që iu nënshtruan testit të maturës në afatin e qershorit.
Sipas një komunikate të Ministrisë së Arsimit, rezultati i kalueshmërisë në këtë afat është 83.5 për qind, ndërsa 67.2 për qind e maturantëve kanë arritur të marrin mbi 50 për qind të pikëve në test.
Bazuar në këtë, KShM e vlerëson shumë të suksesshëm Provimin e Maturës Shtetërore këtë vit, kjo edhe për faktin e administrimit më cilësor e më profesional dhe ndërgjegjësimit të komunitetit arsimor.
\"Kujtojmë se në dy raundet e organizimit të testit, nuk ka pasur shkelje dhe parregullsi të theksuara në asnjë qendër testimi\", thuhet në komunikatën e MASHT.
Komisioni Shtetëror i Maturës njofton se povimi i Maturës për afatin e gushtit, pjesa e parë do të mbahet më 25 gusht, ndërsa pjesa e dytë më 2 shtator 20017.
\"KShM i uron të gjithë maturantët për suksesin e arritur dhe u dëshiron suksese në sfidat dhe rrugëtimin e mëtejmë, ndërsa ata që nuk kanë arritur suksesin e pritur i fton që të përgatiten deri në afatin e ardhshëm\", thuhet më tej në komunikatë.
KShM shpreh falënderimin e vet për të gjithë administratorët, komisionarët dhe akterët tjerë të angazhuar për mbarëvajtjen e Provimit Shtetëror të Martuarës.