23 Dhjetor 2024

PSHDK kërkon të mos politizohet arsimi

Prishtinë, 19 shtator - Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK) vlerëson se përvoja politike e vendeve të zhvilluara ka dëshmuar, se asnjë shoqëri nuk mund të ecë drejt progresit dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, nëse nuk ka një arsim të shëndoshë dhe cilësor, pra një arsim që ofron kompetencë për nxënësit, i përgatitë ata dhe i aftëson për jetë.

E këtë nivel të arsimit sipas PSHDK-se nuk mund ta jep një arsim, i cili është i politizuar. Dihet mirëfilli se arsimi në Kosovë, që nga ai fillor, deri tek ai universitar, është politizuar skajshmërisht dhe kontrollohet nga pushteti dhe shpeshherë është vënë në shërbim të pushtetit, sidomos ai universitar.

PSHDK konsideron se si rezultat i kësaj, sot kemi degradime të shumta në Republikën e Kosovës, degradime këto që kanë ndikuar edhe në imazhin e keq të vendit para bashkësisë ndërkombëtare, e veçanërisht para vendeve që na kanë ndihmuar për të jetësuar lirinë dhe pavarësinë.

Prandaj, në këtë kohë të para fushatës zgjedhore, PSHDK-ja vlerëson se ndaj arsimit duhet të sillemi më dinjitet dhe seriozitet maksimal dhe të mos e cenojmë e instrumentalizojmë atë, për qëllime të ulëta politike. Arsimi në Kosovë ka nevojë për dinjitet dhe jo të përdoret si trampolinë për të fituar pushtetin.

Ndërkohë që fushata para zgjedhore ka filluar hovshëm, qeveria e vendit, ka filluar me avazin e vjetër të premtimeve të paqëndrueshme për rritje pagash, për investime milionëshe, premtime këto elektorale që vetëm sa rrisin frustrimet në vend.

Kosova këto vite, nuk ka shënuar progres ekonomik të qëndrueshëm, përkundrazi në anën tjetër, kemi një krizë të thellë sociale në vend dhe një papunësi enorme, që sidomos po godet brezin e ri, që duket i pashpresë. Pikërisht për këtë, gjithnjë e më shumë kemi rritje të pakënaqësisë sociale në vend.

Për PSHDK-në, rritja e pagave, ka kuptim dhe mund të përmirësojë gjendjen e përgjithshme sociale të rëndë në vend, vetëm atëherë kur të kemi një rritje stabile ekonomike dhe një qëndrueshmëri politike.

\"Kosova këtë vit është ballafaquar me ikje masive të të rinjve nga vendi, drejt vendeve të Bashkimit Europian. Prandaj, qeveria nuk mund të justifikojë paaftësinë për rritje ekonomike dhe stabilitet ekonomik e politik, me premtime për rritje pagash për arsimtarë. Kjo është alibi e vetme që i ka mbetur këtij pushteti, në përpjekjet e kota për t’i fituar këto zgjedhje\", thekson PSHDK.

Për PSHDK-në, këto veprime të qeverisë së Republikës së Kosovës, nuk janë asgjë tjetër, veçse një lojë parazgjedhore e Partisë Demokratike të Kosovës, për të përfituar diçka, në kohën kur vendi po përjeton një degradim të rëndë dhe të shumanshëm. Ne e kuptojmë arsyeshmërinë dhe nevojën për rritje të pagave, por një rritje për hir të zgjedhjeve, s’i shërben askujt, e më së paku arsimtarëve.

Premtimet për rritje pagash për arsimtarë, në kohën kur shohim sesi është degraduar rëndë gjendja e pensionistëve, si është degraduar cilësia e arsimit dhe se si kemi rritje të vazhdueshme të çmimeve jetike për jetën e qytetarëve, nuk janë serioze dhe s’janë asgjë tjetër, veçse një marrëzi e radhës e qeverisë së Republikës së Kosovës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)