PSHDK: Anarki e rëndë në edukim e arsim
Për PSHDK-në janë tronditëse faktet që kontingjente të tëra klanesh partiake, mvishen me tituj të pamerituar shkencorë, pa e dhënë asnjë rezultat të pranueshëm shkencor dhe iu besohen nga tri-katër vende pune, duke e dëmtuar paranë publike, duke e cenuar edukimin dhe arsimimin dhe duke shkaktuar një anarki të rëndë në lëmin e edukimit e të arsimit.
Po ashtu sipas PSHDK-së, godet rëndë edhe mënyra korruptive e regjistrimit të studentëve në fakultete, me anë të ryshfeteve, parave dhe formave të tjera të nepotizmit.
Ky fenomen sipas kësaj partie jo vetëm që godet direkt edukimin dhe jo vetëm që cenon parimet e kriteret e cilësive, por fyen rëndë atë masë të madhe të studentëve që punojnë me përkushtim.
\"Po ia shtojmë, në këtë rast, edhe fenomenin e dhënies së provimeve përmes formave të tilla të korruptimit. Ky pseudo-doktor shkence shpesh e merr rolin, jo të dhënies së dijes, e as të publikimit të punimeve të tij shkencore, por të propaganduesit partiak, duke u angazhuar me shkrime për ta fyer, sulmuar a poshtëruar sa më shumë partinë tjetër opozitare, dhe për t\'i thurë lavde pa asnjë meritë partisë së tij në pushtet. Se ku çon roli i tillë i doktorit të shkencave e magjistrit të shpifur të shkencave në rolet e tilla para studentëve dhe opinionit, dhe cilat pasoja prodhohen në këso rastesh, qytetarët i shohin me dhimbje\"thekson PSHDK.
Ndërsa sipas tyre nuk janë të pakta rastet, kur edhe nxënësi, edhe studenti, vlerësohen sipas kriterit partiak të profesorit a mësimdhënësit: i dobëti vlerësohet lart, kurse studenti apo nxënësi i aftë, goditet se përse nuk i takon partisë së profesorit a mësimdhënësit.
Kur pranohen pseudo-doktorë shkencash pa profilin e pedagogut, e pa përkushtimin studimor, atëherë nuk është e habitshme përse nuk arrihet të përçohet dija tek studentët, nuk sigurohet literatura e nevojshme dhe krijohet kaos e anarki në këtë drejtim: përhapet përtacia, dembelizmi, mendësia për ta fituar notën dhe diplomën me lehtësi e jo me përkushtim. Studenti dhe të rinjtë e diplomuar e shohin se kriter e vlerë nuk janë dija, por korruptimi, nepotizmi a përkatësia partiake.
Në kaosin e sistemit arsimor, regjistrimi i studentëve ekskluzivisht në ekonomik apo juridik, sepse studentët provojnë një mundim të vërtetë për të arritur tek indeksi i siguruar në studime. Pranimi i tillë pa kriter, ku nuk hapen degë sipas kërkesave zhvillimore e nevojave të shoqërisë, shpie në një kaos edhe më të thellë social e arsimor.
Për PSHDK-në është e dhimbshme që arsimtarin ta shohim në rolin e misionarit partiak militant, apo duke e marrë rolin e vjedhjes së votës, apo duke u ekspozuar për të valëvitur e shpërndarë flamuj partiakë. në vend që ky arsimtar të përkushtohet për rolin e edukuesit e mësimdhënjes, atë shpesh e shohim jo duke shpërndarë libra, apo dije, por duke shpërndarë e varur bilborda, parulla apo afishe partiake nëpër shtylla elektrike, dyer apo mure, apo duke shpërndarë programe partiake, apo afishe partiake.
Po bëhen shumë vite, kur ky politizim po kalon caqet normale dhe po merr përmasa alarmante: në vende pune pranohen, në radhë të parë, njerëz që i përkasin partisë në pushtet. në këtë mënyrë, masivisht, veprohet edhe në zgjedhjen e emërimin e drejtorëve të shkollave fillore e të mesme.
Ky drejtor i zgjedhur sipas PSHDK-sënuk përfaqëson drejtpërdrejt vlerat profesionale, por pseudovlerat për të qenë i dëgjueshëm për partinë në pushtet, për të zbatuar urdhra, për t\'i plotësuar kërkesat partiake të punësimit apo interesave të pushtetit.
Tipin e tillë të neveritshëm të drejtorit politik, e kemi provuar që në vitet e rënda të regjimeve komuniste dhe, fatkeqësisht, kjo po na përsëritet në tjetër formë edhe sot.
Në këso rastesh po sipas PSHDK-së, si dikur, kur kërkohej përshtatshmëria ideologjike e ideopolitike, edhe tani nuk ka asnjë shans që të punësohet qoftë edhe një arsimtar, pa kaluar nëpër listat e strukturave partiake në pushtet. Shkelja e tillë e kritereve profesionale, godet rëndë edhe normat morale.
Dhe në këso rastesh, nëse drejtori nuk është i dëgjueshëm, pra, që përfill normat e kriteret, ai komplotohet dhe largohet nga posti.