Provimin e maturës e kaluan 74.1 përqind e maturantve
Prishtinë, 30 qershor - Komisioni Shtetëror i Maturës (KShM) ka bërë publike rezultatet e afatit të qershorit të Provimit të Maturës, të cilit këtë vit i janë nënshtruar 31.482 maturantë, prej të cilëve kaluan 23.323, ndërsa për afatin e gushtit mbeten 8.159 maturantë.
Shprehur në përqindje, kalueshmëria në nivel vendi në Provimin e Maturës për këtë afat është 74.1 përqind. Prej këtij rezultati, 73.9 përqind është kalueshmëria në mësimin në gjuhën shqipe, 87 përqind në mësimit në gjuhën boshnjake dhe 76.1 përqind për mësimin në gjuhën turke.
Kryetari i KShM-së, z. Azem Guri theksoi se krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, kalueshmëria është më e lartë për faktin se me Ligjin e ri për Provimin e Maturës Shtetërore, praku i kalueshmërisë është 40 përqind.
Por, nëse e marrim për bazë prakun e kalueshmërisë së vitit të kaluar prej 50 përqind, kalueshmëria do të ishte 54.5 përqind, që do të thotë se edhe me këtë rezultat, kemi rritje prej 0.6 përqind, tha ai, ndërsa bëri të ditur edhe kalueshmërinë në gjimnaze (91.1 përqind) dhe në shkolla profesionale (59.5 përqind),.
Guri tha se KShM e vlerëson të suksesshëm organizimin e administrimit të Provimit të Maturës dhe theksoi se këtë vit është vërejtur një vetëdijësim më i lartë i të gjithë akterevë të përfshirë në këtë proces.
Kryetari i KShM-së bëri të ditur edhe vendimin e këtij Komisioni për përsëritjen e testit në gjashtë qendra të testimit (nga një klasë).
Ndërsa, Guri theksoi se të gjithë maturantët e pakënaqur kanë të drejtë ankese në afat prej 3 ditësh dhe këtë të drejtë mund ta ushtrojnë në Divizionin për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim të MAShT.
Në emër të KShM-së, kryetari Guri iu uroi suksese të mëtutjeshme për regjistrim në arsimin e lartë të gjithë maturantëve që e kanë kaluar Provimin e Maturës, ndërsa për ata që nuk kanë kaluar uroi që të kenë sukses në afatin e gushtit.