Protokoll bashkëpunimi edhe për 60 bursa për studime në Universitetin e Sheffieldit
Prishtinë, 18 mars - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja ka nënshkruar sot protokoll bashkëpunimi me Ioannis Ververidis, rektor i Fakultetit Ndërkombëtar të Universitetit të Sheffieldit City College, përmes të cilit do të ndahen këtë vit edhe 60 bursa për studime në këtë universitet.
Me këtë rast, ministri Buja theksoi faktin se është viti i pestë që me Universitetin prestigjioz të Sheffieldit ndajmë bursa të përbashkëta. Ne japim bursa edhe për nivelin bachelor, master dhe MBA, dhe të doktoratës. Sivjet japim 60 bursa dhe uroj e dëshiroj të na aplikojnë studentët më të mirë, siç e kemi pasur përvojën edhe deri më tani.
Ministri Buja foli edhe për bursat që ndahen në nivele të ndryshme studimi dhe për shumën e tyre. Bursat do të ndahen në programin ekzekutiv MBA në njërin prej specializimeve: Menaxhimi i përgjithshëm, Marketing, Financa, Logjistikë, Menaxhim i kujdesit shëndetësor. Ndërsa, për programet e rregullta të doktoratës do të ndahen bursa në programet: Ndërmarrësi, Inovacioni dhe Zhvillimi i Biznesit dhe Ekonomisë, Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit, Shoqëria dhe Zhvillimi Njerëzor: Psikologji, Politikë, Sociologji dhe Edukim, theksoi ministri Buja, ndërsa foli edhe për skemën e pagesës së këtyre bursave e që është:
Pesë bursa të përbashkëta për studimet universitare (3 vite), për të cilat 50 përqind e pagesave të studimit do të mbulohen nga Universiteti dhe 50 përqind nga MAShT.
Janë 15 bursa për studime universitare (3 vite), të cilat 50 për qind do të mbulohen nga Universiteti dhe 50 për qind nga vet studentët.
Do të ndahen edhe 15 bursa të përbashkëta për studime pasuniversitare (1 vit studimi), për të cilat 50 për qind do të mbulohen nga Universiteti dhe 50 për qind nga MAShT.
Ndërsa, për 10 bursa për studime të rregullta pasuniversitare (1 vit studimi), 50 për qind e pagesave të studimit do të mbulohen nga Universiteti, ndërsa 50 për qind e pagesës do të mbulohen nga studentët.
Dhjetë bursa të përbashkëta për MBA do të ndahen për të punësuarit në sektorin publik dhe atë 50 për qind e pagesave të studimit do të mbulohen nga Universiteti dhe 50 për qind nga MAShT.
Pesë bursa të përbashkëta për studime të rregullta të doktoratës (dy në Studime Biznesi, dy në Shkenca Kompjuterike, një në Psikologji) do të mbulohen po ashtu me 50 për qind nga Universiteti dhe 50 për qind nga MAShT.
Ioannis Ververidis, rektor i Fakultetit Ndërkombëtar të Universitetit të Sheffieldit City College, theksoi se deri më tani nga këto bursa kanë përfituar rreth 200 studentë kosovarë, ndërsa tha se ata kanë treguar sukses të mirë dhe sot janë duke kontribuar nëpërmjet kapaciteteve të tyre, mendjeve dhe punës së tyre për zhvillimin e shoqërisë, ekonomisë dhe këtij vendi në tërësi.
Nëpërmjet kësaj skeme do të ofrojmë një mundësi unike për studentët e Kosovës që të sudiojnë në një ambient mjaft cilësor dhe të marrin një diplomë nga Universiteti i Sheffieldit që është një nga 100 universitetet më të mira në botë, theksoi ai.
Universiteti i Sheffieldit është i ranguar si universiteti i 75 më i mirë në botë dhe i 25-ti në Evropë, ndërsa ka marrë 5 çmime nobele.