15 Nëntor 2024

Promovohet vëllimi “Studime shqiptare” dhe “Mbi gjuhën shqipe”

Prishtinë, 19 tetor - Sot në Institutin Albanologjik të Prishtinës bëhet promovimi i dy librave nga fusha e albanologjisë, të studiuesve të gjuhës shqipe, të arvanitasit Panajot Kupitori dhe të gjermanit Franz Bopp, të cilët në shqipe i ka sjellë studiuesi i gjuhës dhe historiani Altin Kocaqi, në një vëllim të vetëm, në koleksionin “Klasikët e studimeve shqiptare”.

Në këtë vëllim janë përfshirë dy studime me vlera të jashtëzakonshme për gjuhën shqipe: “Studime shqiptare” i arvanitasit Panajot Kupitorit dhe “Mbi gjuhën shqipe” i studiuesit gjerman Franz Bopp.

Tezat që shtrojnë këta autorë në këta libra provokojnë dhe shtrojnë ide për debate të forta në fushën e historisë dhe të gjuhësisë. Ato rikthejnë çështje themelore për prejardhjen e shqipes, prandaj ky vëllim vlen për të gjithë studentët, studiuesit dhe të pasionuarit për kërkim të rrënjëve të gjuhës sonë.

Derisa arvanitasi Panajoti Kupitori mbron prejardhjen pellazgjike të shqipes, Boppi arrin më larg, duke e çuar përtej kësaj periudhe. Sipas themeluesit të gjuhësisë krahasuese historike, lënda e saj lë në hije gjuhët evropiane si dhe vetë sanskritishten.

Kjo arritje e Franz Boppit vjen nëpërmjet analizës së ftohtë krahasimtare dhe shkencore të fjalëve simotra që gjuha shqipe ka me gjuhët evropiane.

Për përkthimin e këtyre dy librave në shqipe do të flasë vetë përkthyesi i tyre, Altin Kocaqiu, i cili nga një ekzemplar të këtij vëllim studimor do t’ua dhurojë të gjithë të pranishmëve.

Libri është mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit e Kosovës.

Më poshtë mund t’i lexoni hyrjet për dy librat që janë përfshirë në këtë vëllim, të përgatitur nga ekipi i dr. Elena Kocaqit dhe të përkthyera nga Altin Kocaqi.

Parathënie e librit “Studime shqiptare” nga Elena Kocaqi

Arvaniti Panajot Kupitori lindi në vitin 1821 në ishullin e Hydras dhe vdiq në vitin 1881. Ai studioi për filologji në Universitetin e Athinës dhe më vonë punoi si drejtor në disa shkolla. Njëkohësisht njihet edhe si organizatori i hapjes së një shkolle shqipe, në Hydra, në të cilën mësohej dhe shkruhej gjuha shqipe me anë të një abetare që e përgatiti vetë ai.

Vepra që keni në duar titullohet “Studime shqiptare “Të vërteta historike dhe filologjike rreth gjuhës dhe etnisë shqiptare” dhe është botuar nga ShB “Tipo grafia tu Mellondas”, Athinë, 1879).

Kupitori ka ndërmarrë një studim historik që është i një niveli të lartë shkencor. Ai ka shfrytëzuar të gjithë autorët e studiuesit e asaj kohe të cilët shumë pak njihen apo studiohen edhe sot në Shqipëri.

Brenda një hapësire shumë të shkurtër - për nga shtrirja vëllimore - fshihet një thesar i çmuar i studimeve albanologjike me detaje shkencore dhe renditje kohore nga më të shkëlqyerat e mundshme. Si rrjedhojë e kësaj pune të shkëlqyer lexuesi ynë do ta ketë shumë të lehtë të njohë ç’është thënë në botën e dijes për historinë dhe gjuhën e popullit tonë.

Kupitori shquhet për një gjykim të mprehtë dhe të ftohtë akademik në lidhje me botën e shkencës dhe arritjet e saj për historinë dhe gjuhën shqipe.

Në analizë gjuhësore ai sjell edhe tri fjalë ilire dhe, po ashtu, ai vlerëson se ekzistojnë shumë fjalë të tjera ilire, por askush nuk është marrë posaçërisht me to. Pasi shtron, analizon dhe kundërshton, por edhe aprovon teoritë dhe arritjet shkencore të shkruara për historinë e gjuhës shqipe deri në kohën e tij, ai sjell edhe mendimin e tij rreth historisë dhe gjuhës shqipe.

Mendimi i Kupitorit mund të përmblidhet me pak fjalë kështu: “Arma më e fortë që kanë shqiptarët për historinë e tyre autoktone është gjuha e tyre”. Për ta provuar vjetërsinë e gjuhës shqipe ai afron marrëdhëniet e njohura historike që ka pasur populli ynë me gjuhët e popujve të tjerë.

Sipas Kupitorit, është vërtetuar se bazat treguese të gjuhës shqipe janë: greqishtja, latinishtja, gjermanishtja, frëngjishtja, sllavishtja, turqishtja, italishtja, greqishtja e re dhe pellazgjishtja.

Në vazhdim, ai analizon mënyrën se si kanë hyrë në gjuhën shqipe fjalët e gjuhëve të këtyre popujve dhe, duke e ndarë materialin, ai vëren se çdo gjë tjetër është kalimtare, përveç marrëdhënieve të vjetra me pellgun pellazgjik.

Me bazë këto marrëdhënie, ai arrin në përfundimin se gjuha shqipe i përket trungut pellazgjik të kohëve më parë se grekët e latinët të veçoheshin e shquheshin si grekë e latinë. Gjuhën shqipe e do si paragreko-latine, por të të njëjtit grup me grekët dhe latinët.

Në këtë pikë, Kupitori i bashkohet mendimit të gjuhëtarëve të mëdhenj si Franz Bopp, i cili e do shqipen akoma më të vjetër, apo dhe Demetrio Camarda, që e do shqipen si gjuhë paragreke edhe më të vjetër se vetë greqishtja.

Ndërsa greqishten e re dhe gjuhën latine ai i quan si gjuhë të prodhuara në kohë të ndryshme, kur ato u transformuan duke prodhuar fjalë të reja dhe si rrjedhojë u larguan nga gjeneza pellazgjike të cilën e ruan edhe sot gjuha shqipe.

Vepra e Kupitorit ka rëndësi të studiohet dhe referohet nga historiografia shqiptare e cila ende nuk e njeh atë. Kjo vepër sjell të dhëna që shërbejnë si një orientim për studiuesit e kësaj fushe, por edhe për lexuesit e apasionuar me historinë dhe origjinën e shqiptarëve. Ajo është një gur i çmuar në gjerdanin e shkencës së albanologjisë.

Në fund të kësaj vepre të çmuar, Panajot Kupitori lajmëron se ai ka të gatshme analizën gjuhësore dhe etimologjike me të cilën ai mbron në mënyrë më të gjerë shkencore arritjet e veta.

Kjo vepër njihet si “Fjalori etimologjik greko-shqiptar”, i cili ka 1 226 faqe dorëshkrim. Ky fjalor bazohet në dialektin e Hydrës dhe, po ashtu, përmbledh dialektet toske e gege si dhe nga shqiptarët e Sicilisë.

Fjalori i Kupitorit u ble më 1882 nga August Dozon, i cili në faqen e parë të dorëshkrimit ka shkruar me dorë shënimin: “Par Panagiotis Koupitoris Manuscrit achete par moi de ses deux soeurs comme ses heritieres Athenes, ce juillet 1882 Aug. Dozon”.

Por, në vitin 1926, “Istoriki qe Ethnologjiki Eteria tis Elladhos” (DIHEE 9, 1926, f. 690) e bleu dorëshkrimin e Kupitorit dhe botimin e tij e mori përsipër “Qendra e Botimeve të Fjalorëve Historikë” në Akademinë e Athinës, por deri më sot ky gur i çmuar dhe i veçantë i albanologjisë nuk është njohur në shkencën tonë.

Veprat e Kupitorit dhe Boppit do të bëhen shumë shpejt librat tuaj më të dashur në fushën e historisë dhe gjuhësisë si dhe, po ashtu, në rrugën e shkencës së albanologjisë do të çelin një dritare të lënë në harresë prej kohesh e cila do të sjellë mundësi të \"reja\" në debatin shkencor albanologjik.

Parathënie e librit “Mbi gjuhën shqipe” nga Altin Kocaqi

Franz Bopp njihet në radhët e shkencës së gjuhësisë evropiane si themeluesi i gjuhësisë së krahasuar që ndryshe quhet indo-europianistikë.

Shkenca e gjuhësisë evropiane, indoeuropianistika, lindi si një nevojë pasi u vu re se në gjuhët evropiane dhe në një dialekt të shumerishtes ekzistojnë fjalë të përbashkëta që duhet të vijnë nga e njëjta gjuhë e vjetër.

Pas punimeve fillestare për ta renditur lëndën e këtyre fjalëve vijnë dhe punimet shkencore për ta renditur vjetërsinë e gjuhëve të mbetura në kontinentin tonë.

Sipas shkencës së gjuhësisë evropiane, dikur ka ekzistuar një pellg ku është folur mëma e gjuhëve dhe se nga ky pellg e kanë prejardhjen fjalët e përbashkëta në gjuhët evropiane dhe në një dialekt i shumerishtes siç është ai sanskrit që dokumentohet deri pak kohë para greqishtes së vjetër:

Kur shkenca e gjuhësisë evropiane kishte arritur në këtë pikë, Franz Bopp kryen dy punime për gjuhën shqipe, i nisur edhe nga punimet e shumta gjermane në lidhje me vjetërsinë e gjuhës sonë.

Këto dy punime janë lënë në harresë, duke shpërfillur kështu vërejtjet shkencore të babait të gjuhësisë së krahasuar në lidhje me gjuhën shqipe. Emri tij është përmendur kryesisht nga Çabej, por vepra e tij, fatkeqësisht, kurrë nuk e pa dritën e botimit në gjuhën shqipe.

Emri, statura dhe pozita e Boppit në gjuhësinë evropiane, e bëjnë atë të konsiderohet si një nga baballarët e kësaj gjuhësie; si dhe si një nga themeluesit e shkencës së gjuhësisë historike.

Çdo zhvillim i mëtejshëm në Evropë, i referohet Boppit si themelues. Për realitetin e shkuar shqiptar, këto merita e bënin Boppin dhe pasuesit e tij “borgjezë dhe revizionistë”, kështu që ai ngeli jashtë fushës studimore të gjuhësisë shqiptare, e cila, siç dihet, mori në konsideratë vetëm studiuesit lindorë.

Ja pse ndryshimi mes Boppit dhe shkencës së gjuhësisë sonë është shumë i madh ndaj dhe rëndësia e botimit të tij merr vlera akoma më të mëdha.

Sipas Franz Boppit, \"gjuha shqipe, për nga lloji dhe lënda e saj, nuk është e njëjtë me gjuhët motra sanskrite të mbetura në kontinentin tonë. Lloji dhe lënda e saj lënë në hije gjuhët evropiane si dhe vetë sanskritishten”.

Kjo arritje e Franz Boppit vjen nëpërmjet analizës së ftohtë krahasimtare dhe shkencore të fjalëve simotra që gjuha shqipe ka me gjuhët evropiane.

Nga kjo analizë del se gjuha shqipe, për nga vjetërsia, lë në hije edhe greqishten dhe sanskritishten, të cilat njihen të dyja si gjuhë teknike.

Me pak fjalë, kjo do të thotë se lloji dhe lënda e gjuhës shqipe arrin deri tek vjetërsia më e largët e njohurve shkencore të derisotme.

Vlera shkencore e Franc Boppit është e padiskutueshme për aq kohë sa ai mbahet dhe është timonieri i kësaj shkence.

Shkenca jonë e gjuhës dhe e historisë së gjuhës nuk mund te injorojë edhe sot e kësaj dite arritjet shkencore të Perëndimit pasi në këtë mënyrë ajo jo vetëm që nuk i shërben shkencës, por edhe nuk e ndihmon historishkrimin për ta mbështetur tezën e lashtësisë sonë në këto troje.

Pas dështimit të deshifrimit të Linearit B për ta konsideruar atë gjuhë greke dhe pas arritjeve mosbindëse shkencore për njohjen e gjuhëve më të vjetra, shkenca e gjuhësisë sot, në mënyrë unanime, nuk pranon më asgjë si më të vjetër sesa dorëshkrimet sanskrite të shek V. para Krishtit e, menjëherë pas tyre, gjuhën klasike greke.

Kjo do të thotë se shkencërisht ne jemi përsëri aty ku e nis Grimmi dhe Boppi, ndaj dhe vlera e tij shkencore qëndron sot e gjithë ditës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)