Promovohen dy doracakë të rinj për lëndën e historisë në gjuhën shqipe
Prishtinë, 24 maj - Qendra për Demokraci dhe Pajtim në Evropën Juglindore (CDRSEE) me seli në Selanik, organizon sot në Prishtinë promovimin e dy doracakëve të rinj për lëndën e historisë në gjuhën shqipe, periudha 1944-2008.
Ky promovim është pjesë kulmore e Projektit për Historinë e Përbashkët II (JHP II).
Në promovim do të marrin pjesë dhe do të flasin përfaqësues të lartë të Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe të Zyrës së BE-së në Kosovë.
Pas prezantimit dhe të debatit në formë të panelit, do të organizohet një punëtori me ligjërues të historisë në shkollat e Kosovës.
Projekti për Historinë e Përbashkët implementohet nga CDRSEE për 20 vjet. Ai përqendrohet në arsimin dhe qëllimi i tij i përgjithshëm është që t'u ofrojë ligjëruesve të historisë doracakë për këtë lëndë, duke ofruar më shumë perspektiva për të njëjtat ngjarje.
Deri më tani, projekti ka përgatitur gjashtë doracakë mësimorë - katër prej të cilave janë botuar në 11 gjuhë dhe përfshijnë periudhën nga Perandoria Osmane deri te fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Doracakët historikë janë bërë një mjet efektiv për rritjen e ndërgjegjësimit dhe për përqendrimin mbi politikat e BE-së për forcimin e mësimdhënies të historisë me një multiperspektivë, si dhe për promovimin e pajtimit.
Përveç doracakut, në kuadër të projektit janë mbajtur deri më tani gjithsej 70 seminare, gjatë të cilave u trajnuan më shumë se 2.000 mësimdhënës për përdorimin e këtyre librave. Në këtë mënyrë, projekti ka arritur deri në 500.000 nxënës.