Profesorët me dy vende pune zgjedhin Universitetin e Prishtinës
Prishtinë, 24 tetor - Personeli akademik në Universitetin e Prishtinës, Hasan Prishtina, të angazhuar njëkohësisht në dy vende pune, tashmë kanë paraqitur dorëheqjet e tyre në institucionet e tjera për të vazhduar punën e rregullt në Universitet.
Kjo u bë e ditur sot nga rektori i Univesritetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi i cili prezantoi të arriturat dhe planet për këtë vit akademik.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, tha sot se të gjithë profesorët që kishin njëkohësisht nga dy kontrata të rregullta pune, kanë zgjedhur universitetin publik për të vazhduar punën e tyre, duke hequr dorë nga vendet e tjera të punës.
Sa u përket profesorëve të rregullt të Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina, të angazhuar edhe në kolegjet private, rektori Gashi, tha se do të monitorohet angazhimi i tyre, duke shtuar se u lejohet një gjysmë norme në një institucion të arsimit të lartë.
Nga mbrëmë i keni emrat e të gjithë atyre që kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e larta dhe numri i tyre është i konsiderueshëm dhe pothuajse të gjithë kanë zgjedhur që të mbetën në marrëdhënie të rregullt punë si profesor në Universitetin e Prishtinës. Ka edhe raste ku ne kemi pasur evidenca që kemi konstatuar se marrëdhënia e dytë e punës nuk është e rregullt atje, por është marrëdhënie me projekte, të cilat kanë përfunduar, tha ai.
Ndërsa, për profesorët të cilët kanë edhe poste politike, rektori Gashi, theksoi se me ligj u lejohet zyrtarëve të cilët janë të zgjedhur për një mandat që të ruajnë marrëdhënien e punës në Universitet, por ata kontrollohen nëse i mbajnë rregullisht ligjëratat.
Rektori Gashi tha se në konsultim me inspektoratin e punës, janë paralajmëruar paraprakisht të gjithë profesorët, duke u dhënë afat deri më 20 tetor për të hequr dorë nga vendi i dytë i punës.
Nëse një ministër konsideron që nuk mund të përmbushë detyrimin që ka me studentët e ka ngrirë marrëdhënien e punës, ndërkaq, ka ministra, deputetë dhe zyrtarë të tjerë politikë, që mbajnë me rregull ligjërata siç i kanë në orar një herë në javë. Ne i kemi përcjell nuk kemi pasur vërejtje, theksoi ai.
Lidhur me thirrjet akademike të tij, rektori Gashi, theksoi se ngritja e tij profesionale ka një trajektore të qëndrueshme. Ai gjithashtu, paraqiti edhe të arriturat e vitit të kaluar dhe planet të cilat do të realizohen gjatë këtij viti akademik.