Procesi i aplikimit online po ecën mirë
Prishtinë, 15 korrik - Procesi i aplikimit online për regjistrimin e studentëve të rinj në Universitetin e Prishtinës (UP) po ecën mirë.
Vetëm në ditën e dytë të konkursit për pranimin e studentëve të rinj kanë aplikuar online rreth 8 mijë kandidatë.
Ky lajm është bërë me dije në një konferencë për medie të drejtuesve të UP-së, të cilët u kanë bërë thirrje maturantëve ti ndjekin udhëzimet për ta shkarkuar aplikacionin.
Të mërkurën, në ditën e parë të konkursit, kanë aplikuar 5 mijë e 285 maturantë për studime të rregullta, kurse 132 me korrespodencë, ndërsa të enjten 2 mijë e 652. Me këtë rast, rektori i UP-së, Mujë Rrugova, është shprehur i kënaqur me ecurinë e procesit të aplikimit online. Deri më tani puna ka ecur mirë. Të mërkurën janë paraqitur thuajse gjysma e atyre që kanë diplomuar në shkollat e mesme të Kosovës, ndërsa sot deri në orën 12.00 kanë aplikuar edhe 2 652, ka thënë Rugova.
Ndërkaq, drejtori i Teknologjisë Informative në UP, Isak Shabani, ka kërkuar nga të gjithë aplikuesit që para se të aplikojnë në fakultet, së pari ta lexojnë informatorin.
Është hera e parë që është filluar me këtë sistem. Shfrytëzoj rastin tu bëj thirrje të gjithë maturantëve, që para se të aplikojnë ta lexojnë manualin në faqen zyrtare. Unë kam shkuar në shumicën e fakulteteve dhe kam kuptuar nga maturantët që informatorin nuk e kanë lexuar. Për të mos pasur probleme, duhet ta lexojnë manualin që e kanë të publikuar online, ka thënë Shabani. Epoka e Re