Prishtina thellon bashkëpunimin me Tiranën për arsim dhe sport
Tiranë, 27 maj - Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jusuf Thaçi, bashkë me përfaqësuesit e Federatës së Sportit Shkollor të Kosovës, vizitoi Tiranën ku zhvilluan takime për fillimin e bashkëpunimit praktik mes Tiranës dhe Prishtinës në fushën e arsimit dhe sportit.
Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Drejtori Jusuf Thaçi u takua me zëvendësministrin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, z. Rauf Dimraj.
Në këtë takim u diskutua për mundësinë e organizimit të garave të përbashkëta në mes nxënësve të Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe për mundësinë e organizimit të kampeve verore në Shqipëri dhe kampeve dimërore në Kosovë për nxënësit e të dy vendeve.
Në takimin me Drejtoreshën e Drejtorisë Arsimore Rajonale të Qytetit të Tiranës, znj. Mimoza Kuqi, u diskutua për shkëmbimin e praktikave dhe përvojave të mira në mes Tiranës dhe Prishtinës në fushën e arsimit, si dhe për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta në Tiranë e Prishtinë për nxënësit e të dy qyteteve.
Me këtë rast u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi në mes të dy drejtorive.