15 Nëntor 2024

Presidenti Thaçi ndan diplomën e parë të Universitetit të Mitrovicës

Prishtinë, 18 maj - Studentja, Antigona Pllana, ka pasur fatin që të marrë diplomën e parë të lëshuar nga Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”. Këtë diplomë e ka ndarë presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili të enjten vizitoi Universitetin e Mitrovicës së bashku me ministrin e Arsimit, Arsim Bajramin dhe ministrin e Administratës Publike, Mahir Jagxhillar.

Pas takimit në rektorat është realizuar edhe një vizitë në kampusin e ri universitar që është në ndërtim e sipër. Presidenti Thaçi, shprehu kënaqësinë për ecurinë pozitive në Universitetin e Mitrovicës, duke e vlerësuar si një universitet model në Kosovë.

Ai shprehu besimin se viti i ri akademik për studentët dhe mësimdhënësit e Universitetit të Mitrovicës do të jetë  një festë, meqë do të kalojnë në objektin e ri. “Shohim këtu një objekt modern që është duke u ndërtuar për Universitetin e Mitrovicës, që me degët e veta të veçanta është mjaft atraktiv për të rinjtë e këtij rajoni, por edhe gjithë Kosovës”, tha Thaçi.

Ndërsa, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, tha se Universiteti i Mitrovicës e ka arsyetuar plotësisht vendimin për themelimin e tij. Në anën tjetër, ministri Jagxhillar, sqaroi se punët për ndërtimin e objektit janë duke u realizuar sipas dinamikës së paraparë.

Rektori Alush Musaj, shprehu kënaqësinë për vizitën e presidentit dhe ministrave, të cilët premtuan mbështetje të vazhdueshme për konsolidimin e mëtejmë të Universitetit të Mitrovicës. Ai tha se Universiteti i Mitrovicës sivjet ka shënuar 3-vjetorin e themelimit dhe përkundër faktit se është një universitetit i ri, brenda vetes mban një kuadër me përvojë të gjatë akademike.

Kjo sipas tij, ka shërbyer si bazament i fortë për forcimin e universitetit. “Ne sot ndjehemi krenar meqë Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”, është plotësisht i konsoliduar”, tha rektori Musaj.

Aktualisht në kuadër të Universitetit të Mitrovicës, funksionojnë gjashtë fakultete, ku ndjekin studimet rreth 3500 studentë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)