Portretizimi etik i fëmijëve në medie
Prishtinë, 12 maj - Prezantimi i fëmijëve në mediet kosovare, gazetat e shtypura, ato elektronike dhe televizionet, nuk është i kënaqshëm. Shpesh portretizohen fëmijët në një mënyrë negative dhe të pambrojtur veçanërisht ato nga grupet e margjinalizuara.
Ka zbulim të identitetit të tyre, intervista pa lejen e prindërve dhe vendosjen e fëmijëve në situata stresuese, pa e marrë parasysh mirëqenien e fëmijës.
Në mënyrë që të sigurohet raportimi dhe portretizimi etik me një komponentë mbi të drejtat e fëmijës dhe Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës, një punëtori dy ditore do të mbahet me 12 dhe 13 maj në Prishtinë.
Punëtoria është e udhëhequr nga David Hayward, ekspert ndërkombëtar në fushën e Medies dhe të Drejtave të Fëmijës, organizuar nga Departamenti i Gazetarisë, të Fakultetit Filologjik, Universiteti i Prishtinës Hasan Prishtina dhe organizata Save the Children.
Përgjatë dy ditëve, gazetarë, studentë dhe profesorë të departamenteve të gazetarisë (private dhe publike) do ti kontribuojnë diskutimit dhe do të hartohet një material që do të paraqes në mënyrë specifike se si fëmijët duhen të portretizohen. I njëjti material do të përdoret dhe bëhet pjesë integrale e lëndës Etika në Medie, në Departamentin e Gazetarisë, të Fakultetit Filologjik, Universiteti i Prishtinës.
Punëtoria ka për qëllim përkrahjen në krijimin e një trashëgimie të fuqishme në portretizimin etik të fëmijëve në medie, duke ofruar këtë fillimisht tek studentët, që në të ardhmen do të jenë pjesë e botës së medies. Gjithashtu, duke i dhënë pjesëmarrësve aftësitë dhe njohuritë mbi portretizimin etik të fëmijëve në media, ajo do të lejojë shpërndarjen më të madhe dhe tek një audiencë shumë më e gjerë.