Pjesa e parë e Provimit të Maturës përfundon me sukses
Prishtinë, 27 gusht - Komisioni Shtetëror i Maturës (KShM), ka vlerësuar se pjesa e parë e Maturës Shtetërore (afati i gushtit), të cilës i janë nënshtruar rreth 8.500 maturantë, është organizuar dhe administruar mjaft mirë.
Sipas raporteve të marra nga qendrat ku është organizuar testimi në gjithë vendin, Komisioni ka konstatuar se testet janë shpërndarë me kohë, nuk ka pasur mungesa të testeve në asnjë qendër testimi, administratorët dhe kryetarët e qendrave të testimit kanë arritur me kohë në çdo qendër dhe i tërë procesi ka përfunduar në kohën e paraparë.
Prandaj, KShM falënderon të gjithë nxënësit, administruesit, monitoruesit. komisionerët dhe kryetarët e qendrave të testimit, si dhe të gjithë pjesëmarrësit tjerë, që kanë ndihmuar në mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm.
Komisioni i Maturës Shtetërore falënderon mediat në veçanti, të cilat vit pas viti kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, duke i qëndruar afër këtij procesi, gjë që ka ndihmuar në mbarëvajtjen e Maturës.
KShM thekson edhe faktin se kësaj radhe tentimet për përdorimin e rrjeteve sociale për kopjim kanë qenë minimale dhe ato janë identifikuar dhe raportuar nga qendrat e testimit.
Provimit të Maturës Shtetërore (afati i gushtit) i janë nënshtruar mbi 8.500 maturantë, të cilët nuk e kanë arritur prakun e kalueshmërisë në afatin e qershorit. Provimi është organizuar në 86 qendra të testimit në gjithë Kosovën, është administruar nga 600 administrues dhe është monitoruar nga monitorues të angazhuar nga MAShT, derisa sigurimin e objekteve e ka bërë Policia e Kosovës.
Pjesa e dytë e Provimit të Maturës Shtetërore (afati i gushtit) mbahet më 3 shtator 2016.