25 Dhjetor 2024

Pilotimi i Kornizës së Kurrikulës po ecën mirë

Prishtinë, 22 shtator - Pilotimi i dokumentit të Kornizës së Kurrikulës në arsimin parauniversitar të Kosovës, i cili këtë vit ka filluar edhe në 82 shkolla të Kosovës, është duke shkuar shumë mirë.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) kanë deklaruar se pilotimi i kësaj kornize është duke shkuar ashtu siç është paraparë. Tashmë Korniza e Kurrikulës është duke u pilotuar në 92 shkolla, në dhjetë prej të cilave pilotimi i saj ka filluar një vit më parë.

MASHT-i kishte planifikuar që këtë vit shkollor të bëhet pilotimi në 114 shkolla të reja por, ka filluar vetëm në 82 prej tyre, pasi në këtë pilotim nuk janë përfshirë shkollat nga komunat e komunitetit serb.
Korniza e re e Kurrikulës është duke u pilotuar në shkollat me mësim në gjuhën shqipe, turke dhe boshnjake.

Rexhep Kastrati, ushtrues detyre i udhëheqësit të divizionit për planprograme dhe tekste shkollore në MASHT, ka thënë për “Epokën e re” se ka filluar një proces i mbarë i pilotimit të Kornizës së Kurrikulës. “Janë 82 shkolla të reja që janë duke e pilotuar Kornizën e Kurrikulës. Procesi ka filluar në të gjitha këto shkolla dhe mund t’ju them se është një fillim i mbarë. Ne për tri ditë i kemi ftuar drejtorët e shkollave pilotë dhe janë kryer të gjitha trajnimet, ku kemi parë drejtpërdrejt se si ka filluar ky proces”, ka thënë Kastrati. Sipas tij, vështirësi në pilotimin e kësaj kornize janë paraqitur tek gjuha e dytë e huaj dhe tek gjuha angleze në klasën parafillore.

“Duke u nisur nga përvoja e vitit të kaluar, vështirësi ka qenë gjuha e dytë e huaj, e cila nuk ka qenë me kurrikulën aktuale, por me këtë që është duke u pilotuar nga klasa e gjashtë, gjuha gjermane, frënge dhe spanjolle. Vështirësi tjetër ka qenë edhe mësimi i gjuhës angleze nga klasa parafillore. Në çdo klasë do të mbahet nga një orë mësimore në gjuhën angleze. Nëse nuk ka mundësi të mbahet në klasën parafillore. Duhet të fillojë në klasën e parë, por me dy orë”, ka thënë Kastrati.

Ai është shprehur se MASHT-i planifikon që zbatimi i kornizës në të gjitha shkollat të fillojë në vitin 2015 dhe 2016. Por, Kastrati ka thënë se kjo do të varet se si do të zbatohet Korniza e Korrikulës në 82 shkollat e reja. “Në dhjetë shkollat pilot, ku edhe vazhdon procesi, jemi të kënaqur me pilotimin. Pra, me angazhimin e mësimdhënësve dhe bashkëpunimin mes tyre. Presim edhe përkrahjen e BE-së me një projekt që do të na mundojë pajisjen me mjete të domosdoshme mësimore që kjo kurrikulë të zbatohet suksesshëm”, ka theksuar ai.

Kastrati ka thënë se do të ketë ndryshime edhe në tekstet shkollore. “Sigurisht se do të ketë ndryshime. Do ta bëjmë hulumtim dhe do të bisedojmë me akterët kryesorë dhe do të marrim një vendim se si do të bëhet hartimi i teksteve në nivel klase apo në nivel shkalle”, ka thënë Kastrati. Ndërsa Zijadin Ibrahimi, koordinator i Shkollës së Mesme Teknike “28 Nëntori” në Prishtinë, në të cilën shkollë është viti i dytë që bëhet pilotimi i Kornizës, ka thënë se gjithçka po shkon mirë. “Pilotimi ka filluar vitin e kaluar. Sivjet është viti i dytë. Shkolla jonë ngjan me një zgjua bletësh. Të gjithë arsimtarët janë të kyçur në hartimin e planprogrameve, shqyrtimin e kornizës kurrikulare dhe kornizës bërthamë. Pothuajse të gjithë janë trajnuar”, ka thënë Ibrahimi. Ai ka thënë se duhet të kalojë edhe pak kohë të dihet sa është e përshtatshme kjo kornizë për nxënësit.

Korniza e Kurrikulës është një dokument që rregullon tërë sistemin arsimor parauniversitar të Republikës së Kosovës. Korniza përcakton qëllimet e arsimit parauniversitar, kompetencat, parimet kryesore, nivelet dhe profilet. Korniza vendos themelet për ngritjen e cilësisë dhe të barazisë në shërbimet arsimore për të gjithë nxënësit.(Epoka e re)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)