Përzgjedhet shtëpia botuese për botimin e Abetares së përbashkët
Prishtinë, 24 prill - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Shqipërisë kanë përzgjedhur sot në Tiranë shtëpinë botuese me Kodin 1002 për botimin e Abetares së përbashkët Shqipëri- Kosovë, e cila pritet që të jetë e gatshme në fillim të vitit shkollor 2012/ 2013.
Zëvendësministri i Arsimit të Kosovës, Nehat Mustafa, dhe zëvendësministri i Arsimit të Shqipërisë, z.Halit Shamata, kanë marrë pjesë në përzgjedhjen e fituesit për Abetaren e përbashkët Kosovë- Shqipëri.
Nga tri tekste, që u vlerësuan në përputhje me standardet e vlerësimit të abetares me pikë, vetëm një tekst arriti në vlerësimin e përgjithshëm mbi 80 pikë. Ky është teksti me Nr. Kodi 1002. Ky tekst ka plotësuar të gjitha parametrat e kërkuara, prandaj shpallet teksti fitues i konkurrimit.
Në konkurrimin e shpallur nga të dy ministritë përkatëse morën pjesë 7 shtëpi botuese, sipas kushteve të miratuara në paketën informuese. Ndër kushtet themelore është që autorët e tekstit të përbashkët duhet të jenë nga të dy vendet dhe botuesit të kenë prodhim të përbashkët.
Në këtë konkurrim fitues do të jetë vetëm një tekst, që do të zë vend në katalogun e teksteve shkollore të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës për vitin shkollor 2012-2013.
Në vlerësimin e teksteve të paraqitura morën pjesë 10 vlerësues, nga të cilët 5 janë nga Kosova, 5 janë nga Shqipëria.
Periudha e ankimimit ndaj Vendimit të Komisionit është deri në datën 30 prill 2012.