Përvoja amerikane e rëndësishme për arsimin kosovar
Prishtinë, 27 qershor- Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka pritur sot në takim një delegacion nga shteti Iowa i ShBA-ve, i cili po qëndron këto ditë për vizitë në vendin tonë.
Delegacioni amerikan ishte i pëbërë nga rektorë, dekanë dhe profesorë të universiteteve të këtij shteti amerikan (University of Iowa, The University of Northern Iowa, Des Moines Area Community College (DMACC), si dhe Drake University), me të cilat universitete, ministri Bajrami paraprakisht ka nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi.
Me këtë rast, ministri Bajrami falënderoi delegacionin amerikan për vizitën dhe për bashkëpunimin e mirë që ka Kosova me shtetin mik Iowa në shumë fusha të jetës, e veçanërisht në fushën e arsimit të lartë.
Duke prezantuar arsimin e lartë në Kosovë, ministri Bajrami përmendi disa sfida në të cilat po punohet e që janë: lidhja e arsimit me tregun e punës, ngritja e cilësisë së programeve akademike dhe mësimdhënies, si dhe financimi i qëndrueshëm në arsimin e lartë.
Prandaj, ministri Bajrami theksoi se përvoja amerikane është shumë e rëndësishme për arsimin kosovar, sidomos sa i çështjes së financimit të arsimin e lartë dhe Kosova është shumë e interesuar për konkretizimin sa më të shpejtë të marrëveshjeve me universitetet e Iowas.
Delegacioni i lartë nga Iowa u shprehën po ashtu të gatshëm për të vazhduar bashkëpunimin me Kosovën dhe theksuan se do të sigurohen që tiu japin studentëve dhe profesorëve kosovarë sa më shumë mundësi në universitetet që ata i udhëheqin.
Me këtë rast, ministri Bajrami pranoi medaljen e partneritetit të shtetit të Iowa-s me Kosovën nga Sekretari i Shtetit për Bujqësinë, Bill Northey.