Përurohet shkolla në Banjë dhe objekti i rinovuar në Bellanicë
Malishevë, 2 shtator - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja dhe kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj përuruan sot objektin e ri të shkollës fillore dhe të mesme të ulët Naim Frashëri në fshatin Banjë të Malishëvës dhe objektin e rinovuar të shkollës Ismail Qemali në Bellanicë të Malishevës.
Ministri Buja, me këtë rast, ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit e të dyja shkollave për objektet e inauguruara dhe për fillimin e vitit të ri shkollor, ndërkaq ka vlerësuar se investimi në hapësirat shkollore ndikon drejpërsëdrejti në mësimdhënie dhe mësimnxënie.
Më tej, ministri Buja ka bërë të ditur se Ministria e Arsimit ka investuar mbi 1 milion euro në ndërtimin e këtij objektit shkollor në Banjë, duke shtuar se e tërë kjo punë që është bërë dhe po bëhet, ka për qëllim të vetëm investimin në cilësi dhe të ardhmen e vendit.
Ministri Buja, po ashtu ka bërë të ditur se, në vazhdën e angazhimeve të Ministrisë së Arsimit për të zbutur çështjen e mungesës së hapësirave shkollore, gjatë këtij muaji do të përurohen edhe shtatë objekte të tjera.
Të dashur nxënës, që sot po filloni hapin e radhës së dijes, ju uroj nga zemra! Urim i veçantë vjen për shkollën tuaj, për faktin që e kemi bërë të re shkollën e vjetër vetëm duke e rinovuar, u shpreh ministri Buja para pjesëmarrësve të ceremonisë përuruese në fshatin Bellanicë.
Ndërsa, kryetari i Malishevës, Isni Kilaj ka thënë se shkollat që po përurohen janë frut i angazhimit dhe kontributit të jashtëzakonshëm që ka dhënë Qeveria e Kosovës për ndërtimin e objekteve shkollore në tërë Republikën e Kosovës.
Objekti shkollor në Banjë të Malishevës ka sipërfaqen 5, 000 m² dhe përmban
15 dhoma mësimi për nxënësit fillor, 3 dhoma mësimi për nxënësit parafillor, biblioteka, kabineti i kimisë, kabineti i fizikës, kabineti i biologjisë, kabineti i informatikës, kabineti i artit, kabineti i muzikës, kabineti i gjuhëve të huaja, 3 kabinete të arsimtarëve, dhoma e mjekut, dhoma e psikologut, dhoma e pritjes se prindërve, kuzhina doracake, salla e arsimtarëve, drejtoria, sekretaria, arkivi dhe depo.