Përurohet shkolla e re në Siqevë të Klinës
Siqevë, 23 tetor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja dhe kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, kanë përuruar sot objektin e ri të shkollës fillore Ymer Berisha në fshatin Siqevë të Klinës.
Me këtë rast, ministri Buja uroi të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe banorët e Siqevës për shkollën e re, ndërsa theksoi se Qeveria e Kosovës deri më tani ka përuruar 108 shkolla të reja.
Por, nuk do të ndalemi me kaq. Do të vazhjdojmë edhe më tej në rregullimin e ambienteve shkollore për arsye se investimi në këto hapësira ndikon në kualitetin e mësimdhënies dhe mësimnxënies, tha ministri Buja.
Ministri i Arsimit përmendi kontributin e banorëve të Siqevës në ndërtimin e kësaj shkolle në vitet e 90-ta, shkollë e cila ka qenë në shërbim të nxënësve deri tani, kur në vend të saj është ngritur shkolla e re.
Ministri Buja, poashtu vlerësoi lartë investimin e komunës së Klinës në ndërtimin e objektit të ri, duke bërë që ky objekt shkollor nga një gjendje pothuajse krejtësisht e shkatërruar, të ketë një pamje të re.
Ministri Buja përshëndeti edhe familjen e Ymer Berishës, emrin e të cilin e mban kjo shkollë për kontributin që kanë dhënë gjatë viteve.
Për shkollën e re uroi edhe kryetari i komunës së Klinës, Sokol Bashota.