22 Dhjetor 2024

Përurohet shkolla e re në Magurë të Lipjanit

Magurë, 14 shtator - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, sot mori pjesë në përurimin e shkollës fillore të mesme të ulët "Haradin Bajrami" në fshatin Magurë të Komunës së Lipjanit.

Kryeministri Hoti, duke uruar nxënësit, arsimtarët, prindërit për përurimin e shkollës, ka falënderuar kryetarin Imri Ahmeti për punën që ka bërë në kompletimin e infrastrukturës.

“Unë sot shfrytëzoj rastin që ditën e parë të mësimit, të fillimit të vitit të ri shkollor, t’ju kërkoj të gjithë nxënësve, arsimtarëve, prindërve kujdes maksimal. Kemi punuar shumë gjatë këtyre javëve bashkë me ministrin e Arsimit dhe një grup të Ministrisë së Shëndetësisë, të Institutit dhe me ekspertë të pavarur që të krijojmë kushtet e nevojshme, në mënyrë që nxënësit të mos mbesin prapa”, tha kryeministri Hoti.

Më tej, kryeministri para të pranishmëve të shumtë tha se “mësimi nuk merret askund sikur në bankat shkollore, por gjithashtu jemi të rrezikuar me këtë situatë me të cilën po përballemi dhe bashkë mund t‘ia dalim kësaj situate”.

Kryeministri Hoti ka kërkuar me ngulm për kujdes maksimal gjatë mbajtjes së mësimit, duke besuar se kjo shkollë, e cila ka mbi 3 mijë metra katrorë, me kabinete, me gjitha pajisjet e nevojshme, më mirë se asnjë tjetër i plotëson kushtet për të organizuar mësim modern.

Më tej, kryeministri Hoti tha se përveç kësaj shkolle do të ketë edhe plotë projekte të tjera të shkollave, rrugëve, qendrave të mjekësisë familjare dhe vepra të tjera publike që e përmirësojnë jetën e qytetarëve në Lipjan dhe kudo nëpër Kosovë.

Me lutjen që t’u përmbahen kushteve të funksionimit të mbajtjes së mësimit në kushtet e pandemisë, kryeministri Hoti ka uruar kryetarin Ahmeti, arsimtarët, nxënësit dhe prindërit për hapjen e kësaj shkolle.

Pas fjalimit dhe prerjes së shiritit, kryeministri Hoti ka parë nga afër ambientet shkollës së re në të cilën do të zhvillojnë mësimin nxënësit e kësaj shkolle.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)